Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se pjesa dërrmuese e deputetëve pajtohet që tarifa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet.
“Tarifa duhet të hiqet dhe për këtë dakordohemi të gjithë. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që është kundër heqjes së tarifës do të na bashkëngjitet në procesin e unifikimit qëndrimit kosovar përballë atij serb në negociatat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të paktën këto janë deklaratat publike të tyre”, ka thënë fillimisht ai.
Gashi më tej i ka kërkuar kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti që ta heqë në mënyrë të plotë taksën, pasi që sipas tij është në kundërshtim me interesat dhe kërkesat e popullit të Kosovës
“Prandaj, kërkoj nga kryeministri Kurti duke iu ofruar të gjithë mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të heqë sa më parë tarifën në mënyrë të plotë. Zotëri kryeministër, prej teje, prej nesh këtu priten vendime, askush nuk do të konsiderojë frikacak sepse iu nënshtrove presionit amerikan. Këtë gur në qafë e ke trashëguar dhe s’ke pse e mban as përkohësisht në kundërshtim me interesat dhe kërkesat e popullit të Kosovës”, ka thënë ai.
Në Kuvendin e Republikës së Kosovës aktualisht është duke u zhvilluar seanca e thirrur me kërkesë të 41 deputetëve të opozitës në lidhje me raportet Kosovë- Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Gazeta Sinjali/