Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, thotë se nisja e qeverisjes së Albin Kurtit ishte “fillim pa ide”. Në fakt, sipas Gashit, akoma nuk ka nisur kurrfarë qeverisjeje.
Gashi ka rikthyer në fjalimin e tij një përplasje që e ka pasur me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevcin, të cilën e pati akuzuar se nuk ia ka dhënë fjalën në Kuvend. Ai thotë se në Kuvend “arroganca e numrave” të shumicës po ua shkel të drejtën deputetëve të pakicës që të flasin.
“Liria këto javë është cenuar nga egoja për pushtet. Në këtë Kuvend u cenua e drejta e fjalës dhe shprehjes së deputetëve”, ka thënë Gashi i LDK-së.
“Në këtë Kuvend shkelet praktikat paralemtare dhe rregullat me të cilat funksionon demokracia, si parim i patjetërsueshëm”, ka shtuar ai.
Gashi thotë se seanca e sotme është thirrur nga kryeministri Kurti duke i kaluar procedurat parlamentare dhe thotë se Kryeministri ka ndërhyrë në punën e Kuvendit.
“Liria jonë nuk do të cenohet aspak, e as të shkelet nga tekat personale të asnjë lideri politik. Asnjëherë. Aq më pak nga dëshira për pushtet absolut”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së.
Gashi e ka quajtur “fletushkë” dhe “të ashtuquajtur program” programin e qeverisjes së Albin Kurtit, të cilën e ka prezantuar kryeministri.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së i ka dhënë vërejtje kryeministrit dhe kabinetit qeveritar për shumë prej pikave të programit qeverisës. /Gazeta Sinjali/