image Garda Kombëtare e Iowas dhe FSK-ja, aleate moderne ushtarake

Kosovë

Garda Kombëtare e Iowas dhe FSK-ja, aleate moderne ushtarake

news image

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Konsullatës në Iowa ka organizuar një ngjarje virtuale solemne në trembëdhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë aktivitet virtual, me pjesëmarrjen e miqve të nderuar të Kosovës nga shteti i Iowa dhe Garda Kombëtare e Iowa, Kim Reynolds, Guvernatore e Shtetit të Iowa, Joni Ernst, Senatore e SHBA-ve dhe Gjeneralit të pensionuar Tomothy E. Orr, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, në fjalën e saj përshëndetëse, ka falënderuar miqtë tanë të përjetshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një vend shumë të veçantë në zemrat dhe mendjet e gjithë popullit të Kosovës, dhe gjithashtu një vend shumë të veçantë në historinë e Republikës sonë të re”, ka thënë Haradinaj.

Guvernatorja e Iowa-s, Kim Reynolds, u shpreh se “lidhjet tona janë të thella dhe jemi të nderuar që Kosova na ka dhuruar misionin e parë diplomatik në Iowa”.

Një arritje e jashtëzakonshme që të mund të dërgojmë Gardën Kombëtare të Iowa në mision me FSK. Si shtete simotra ne kemi lidhur marrëdhënie të ngushta edhe përmes qyteteve e popujve tanë, duke ndarë së bashku strategji të zhvillimit e partneritete në edukim, kulturë, rini e sport. Jemi më të fortë së bashku. Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, u shpreh ajo.

Senatorja amerikane, Joni Ernst, u shpreh ndërkaq se Kosova dhe Iowa kanë një marrëdhënie të rëndësishme mes tyre si aleatë modernë ushtarakë, por që tashmë është zhvilluar edhe përtej asaj ushtarake.

“Partneriteti si shtete simotra ka mundësuar rritjen e jashtëzakonshme të marrëdhënieve midis komuniteteve tona, ndërsa ne jemi krenarë qe jemi aleatë modernë ushtarakë. Jam e lumtur të mund t’ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, u shpreh ajo duke shtuar se “Kosova zë një vend të veçantë në mendjen dhe zemrat e qytetarëve të Iowa. Urime për shumë vite të partneritetit tonë në të ardhmen”. /Gazeta Sinjali/