Siç citohet të ketë thënë në një telefonatë që ka zhvilluar sot me kryeministrin Kurti, Gabriel Escobar do ta vizitojë së shpejti Kosovën. Kështu thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga zyra për media e kryeministrisë.
Kjo u bë e ditur pas një bisede telefonike të zhvilluar sot mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Escobarit, i cili njëherësh është i dërguar i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.
“Në mbyllje të bisedës, duke theksuar se pret që së shpejti të vizitojë Kosovën, z.Eskobar shprehu urimet më të mira për Kryeministrin dhe popullin e Kosovës. Kryeministri falënderoi z. Eskobar për rolin dhe angazhimin e tij në Kosovë dhe rajon duke i uruar sukses në punën e tij dhe duke i ofruar bashkëpunimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, ka shprehur mbështetjen e tij që të ketë progres në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
“Escobar theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e ShBA-së që Kosova dhe rajoni të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Në lidhje me dialogun në Bruksel, ai shprehu mbështetjen e tij dhe përkushtimin që të ketë progres në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.
Në njoftim thuhet se kryeministri, Kurti e ka falënderuar Escobarin për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së ndaj Kosovës./GazetaSinjali/