image Futbollisti i Tottenhamit i futet në zyrë Mourinhos: S'dua të luaj më me ty

Futboll

Futbollisti i Tottenhamit i futet në zyrë Mourinhos: S’dua të luaj më me ty

news image

23-vjeçari Tanguy Ndombélé dëshiron të largohet nga Tottenhami. Arsyeja: trajneri José Mourinho.

Siç është raportuar nga “ESPN”, mesfushori dhe “Special One” u përleshën gjatë seancës stërvitore të hënën. Ai raportohet se është futur në zyrën e trajnerit për t’i thënë Mourinhos se nuk dëshiron të luajë më nën urdhërat e tij, transmeton Gazeta Sinjali.

Marrëdhënia midis francezit dhe portugezit është bërë problematike prej kohësh. Në mars, Mourinho e kishte bërë publike çështjen “Ndombélé”.

“Tanguy kishte kohë të mjaftueshme për të shkuar në një nivel tjetër. Unë e di se Premier League është e vështirë, kërkon shumë lojtarë për t’u përshtatur, por një lojtar me potencialin e tij, përgjegjësia e tij duhet të na japë më shumë”, kishte thënë Mourinho pas barazimit me Burnleyn (1-1). Trajneri e kishte kritikuar më parë Ndombélén edhe për dobësinë e tij në fitnes.

Francezi, i cili kaloi nga Lyoni në Tottenham për 60 milionë euro nuk duhet ta pëlqejë këtë kritikë të vazhdueshme, e cila siç duket është arsyeja pse ai dëshiron të largohet pas vetëm një viti në Londër.

Që nga rifillimi i Premier League pas pushimit për shkak të pandemisë, Ndombélé nuk ka luajtur në asnjë ndeshje për Spurs.

Në përgjithësi, Ndombélé është përdorur 27 herë nga Mourinho, duke shënuar dy gola dhe duke dhënë 4 asistime. Barcelona dhe PSG raportohet se kanë shfaqur interes për të. /Gazeta Sinjali