Presidenti i FC Ferizaj, Lulzim Abazi, është deklaruar rreth largimit të Ismet Munishit.
Të shtunën u njoftua zyrtarisht se Munishi nuk do të jetë më trajner i skuadrës nga Liga e Parë. Ai u largua duke dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Presidenti i klubit ferizajas, Lulzim Abazi, zbuloi se nuk e kishte menduar shkarkimin e trajnerit 49-vjeçar. Madje ai tha se i kishte kërkuar që të qëndronte.
“Pas lojës që patëm me ekipin e Vjosës ku edhe pësuam humbje, në ditën e nesërme patëm një mbledhje ku ishte i pranishëm edhe trajneri Ismet. Trajneri aty u tha lojtarëve që ai nuk ka çfarë të jap më shumë. Unë insistova që të qëndrojë, por e kishte vendosur. Po ua them që largimin nuk e priti askush mirë, madje kishte edhe lot nga disa lojtarë”, tha Abazi për “ATV”.
Munishi e la Ferizajn në pozitën e katërt të Grupit B në Ligën e Parë, me 14 pikë të grumbulluara pas nëntë xhirove.
Ferizaj është pesë pikë prapa skuadrës së dytë në tabelë, Prishtina e Re, dhe shtatë prapa Ulpianës lidere. Të dy këto skuadra kanë momentalisht nga një ndeshje më pak.