Sukseset e sportistëve kosovarë po vazhdojnë të dominojnë ngjarjet pozitive të Kosovës. Kjo është dëshmuar në të gjitha sportet, e në veçanti në ato luftarake, raporton Gazeta Sinjali Sporti.
Një gjë të tillë po e dëshmon edhe Fuat Berisha në karate, në grupmoshat e reja. Me ndihmën e trajnerit, mjeshtrit të karatesë, Shkëlzen Berisha, i cili është njëkohësisht edhe babai i tij, Fuati ka arritur që në një moshë mjaft të re të korrë shumë suksese, duke fituar medalje të ndryshme.
Fuati, së bashku me klubin e karatesë “Fuati” nga Prishtina, mori pjesë në Kampionatin Mbarëkombëtar të Karatesë për grupmosha të reja, ku ka arritur të ketë paraqitje të shkëlqyer.
Ai arriti të rrëmbejë medaljen artë, duke fituar garën ndaj të gjithë pjesëmarrësve të tjerë, për t’u shpërblyer me të artën nga Federata Shqiptare e Karatesë.
Kujtojmë që Fuat Berisha fitoi medaljen e artë edhe në turneun memorial “Adem Jashari” të mbajtur këtë muaj, kurse ishte i argjentë në “Struga Open” të mbajtur në muajin tetor.