Shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kolonel Ejup Maqedonci, thotë se stërvitja “Defender Europe 2021”, ka rëndësi të shumëfishtë për FSK-në.
Kolonel Maqedonci, thotë po ashtu se FSK-ja gradualisht është duke ngritur kapacitetet luftarake për mbrojtjen e territorit të Kosovës.
“Defender Europe 21, është një stërvitje që drejtohet nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë, që është e dizajnuar për të renditur ndërveprueshmerinë dhe gatishmërinë operacionale, në mes të SHBA-së, vendeve partnere dhe vendeve të aleancës së NATO-s. Shtrirja e këtij ushtrimi është në tri zona kryesore: në rajonin Baltikut, në rajonin e Detit të Zi dhe në rajonin Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe vendi ynë. Për herë të parë në këtë stërvitje, Kosova është vend pritës i këtij ushtrimi, pra Kosova pret ushtrimin në territorin e saj dhe kryesisht ushtrimet në zonën e Ballkanit kanë të bëjnë me aspektin e mbrojtjes së territorit”, tha ai për REL.
Në Kosovë ushtrimi “Defender 21”, është i fokusuar në zonën perëndimore të vendit tonë, pra në rajonin e Gjakovës, më saktësisht, komanda e lartë e ushtrimeve dhe drejtoria e ushtrimit, kanë qenë të vendosura në Aeroportin e Gjakovës, kurse ushtrimet fushore nga kompania e këmbësorisë e FSK-së, janë zhvilluar në rajonin Babaj të Bokës, në komunën e Gjakovës.
“Oficerët e FSK-së kanë marrë pjesë qysh në konferencat e para planifikuese të ushtrimit “Defender 21”, që kanë filluar një vit e gjysmë më parë. Në të gjitha konferencat ne kemi marrë pjesë me oficerë, të cilët kanë paraqitur kapacitetet tona dhe kanë paraqitur poligonet tona, ku ne mund të ofrojmë mbështetje për ushtrimin e përgjithshëm “Defender21”. Ne e kemi shfrytëzuar këtë ushtrim për dy aspekte kryesore: e para për validimin e kapaciteteve të këmbësorisë, pra, FSK-ja në këto ushtrime e bën validimin e kapaciteteve të para të saj të këmbësorisë në nivel kompanie. Dhe gjithashtu e kemi shfrytëzuar mundësinë që vendin tonë ta bëjmë për të parën herë vend pritës, të një ushtrimi të një niveli kaq të madh”, tha tutje ai.
Maqedoni thotë tutje se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova është trajtuar dhe trajtohet si një vend i afërt në aspektin strategjik, me interesat dhe me synimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të ruajtur vlerat perëndimore në këtë zonë.
“Pra, Kosova është ftuar në të gjitha ushtrimet që janë zhvilluar deri më tani për një kohë të gjatë, në shtete të ndryshme të Evropës, ku ushtria e SHBA-së organizon dhe drejton ato ushtrime. Në këtë rast, është një rivlerësim i shtuar i SHBA-së, në drejtim të Kosovës, duke i mundësuar Kosovës që të jetë mikpritëse e një pjese të ushtrimit “Defender 21” në territorin e saj”, tha ai.
Forca e Sigurisë së Kosovës, ka marrë pjesë edhe herëve të tjera në ushtrime të ndryshme, por kësaj radhe, specifike është që forcat amerikane po zhvillojnë një ushtrim në vendin tonë, që jep sinjal të qartë që Kosova, por edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, janë të përkushtuara për paqen dhe stabilitetin në rajon.