Ministri në detyrë për Punë të Jashtme dhe Evropë në Shqipëri, Gent Cakaj, ka pritur sot në takim deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberin, me të cilin kanë diskutuar për fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, shkruan Gazeta Sinjali.
Cakaj thotë se me Kamberin kanë biseduar për ndërmarrjen e disa veprimeve shtesë për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare lidhur me këtë çështje.
Kryediplomati në detyrë ka shprehur shqetësim për gjykimin e shqiptarëve në Serbi, vetëm pse kanë përdorur simbolet kombëtare.
“Biseduam edhe për ndërmarrjen e disa veprimeve shtesë për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare lidhur me procesin e fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Po ashtu, shprehëm shqetësimin e thellë për një numër procesesh gjyqësore ndaj shqiptarëve, vetëm e vetëm për shkak të përdorimit të hapur të simboleve kombëtare”, ka shkruar Cakaj në Facebook, duke paralajmëruar projekte konkrete në mbështetje të Luginës së Preshevës./Gazeta Sinjali/