image FSHF ngre padi ndaj Shefki Kuqit pas deklaratave se i kishin kërkuar para për të luajtur për Shqipërinë

Futboll

FSHF ngre padi ndaj Shefki Kuqit pas deklaratave se i kishin kërkuar para për të luajtur për Shqipërinë

news image

Federata e Futbollit e Shqipërisë, FSHF, e ka paditur ish-sulmuesin e njohur nga Kosova, Shefki Kuqi, duke e akuzuar se kishte shpifur kur kishte thënë se ajo i kishte kërkuar para për ta përfaqësuar Shqipërinë në futbollin ndërkombëtar.

Kuqi, 46 vjeç, u lind në Vushtrri dhe karrierën e nisi në futbollin kosovar, para se të zhvendosej në Finlandë, të cilën e përfaqësoi në futbollin ndërkombëtar gjatë karrierës së tij.

“Shpifjet ndaj FSHF, Gjykata Themelore e Prishtinës pranon padinë ndaj Shefki Kuqit”, njoftoi FSHF-ja në uebsajtin e vet.

Ish-ylli i Blackburn Rovers dhe Newcastle United në Premierligë, është pyetur shpesh pse kishte zgjedhur ta përfaqësonte Finlandën para Shqipërisë.

Duke folur në T7 në fund të vitit të kaluar, ai kishte thënë se federata shqiptare i kishte kërkuar para atij dhe shumë futbollistëve të tjerë gjatë viteve të 90-ta për t’ua lëshuar pasaportën shqiptare dhe për t’ua dhënë mundësinë të luajnë për kuqezinjtë.

“Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë hapat ligjor duke paditur për shpifje ish-futbollistin Shefki Kuqi, i cili në një deklaratë publike në televizionin T7, gjatë emisionit “Favoriti i Botërorit” ka deklaruar se në fundvitet 90’ i janë kërkuar para për tu pajisur me pasaportë shqiptare dhe përfaqësuar Kombëtaren shqiptare”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

“Padia e FSHF ndaj Shefki Kuqi është pranuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe është regjistruar me numër C.nr. 119/22”.

/GazetaSinjaliSport/