Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) vlerëson se kualifikimi i Kombëtares në “Euro 2024” nuk është një rastësi, pasi ky objektiv ishte shpallur që në shpalosjen e strategjisë së FSHF-së, “Futbolli për Kombin 2022-2025”.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar, Armand Duka, e kishte shprehur hapur që në prezantimin e strategjisë: “Jemi besimplotë që mund të kualifikohemi. E bëmë në vitin 2016, do e bëjmë sërish”.
Duka qëndroi në të njëjtën linjë edhe pas hedhjes së shortit, pavarësisht se në grup shihen si favoritët kryesorë Polonia dhe Çekia.
“Në grupin tonë mund të luhen ndeshjet dhe mund të bësh çdo rezultat. Është real objektivi për të qenë pjesë e Euro 2024. Kur kemi marrë shortin për Euro 2016, menduam se ishte i pakalueshëm, por ia dolëm”, deklaronte presidenti i FSHF-së.
FSHF shkroi se “gjatë kësaj periudhe është bërë një punë e madhe dhe Kombëtarja ka një qendër sportive moderne në ‘Shtëpinë e Futbollit’, sikurse edhe një stadium model si ‘Air Albania’, që ka qenë plot në çdo duel të fushatës kualifikuese të “Euro 2024”. Kur punohet vijnë edhe rezultatet, sikurse ndodhi duke u renditur në vendin e parë në Grupin E”.
Duka u tregua i sinqertë dhe e pranoi se nuk e priste që Shqipëria të ishte skuadra më bindëse, ndërkohë që në një intervistë për “TribalFootball” rrëfeu rrugëtimin e tij në krye të FSHF-së, transformimin e infrastrukturës dhe investimin e bërë për krijimin e një administrate sa më të mirë dhe profesioniste.
Intervista e publikuar nga faqja e FSHF-së:
Sukseset e arritura në vitin 2023 – “ Që nga dita e parë nuk e kemi menduar kurrë që në vitin 2023 do ta mbyllnim të parët në Grupin E, të merrnim 4 pikë ndaj Çekisë, për të pasur këto lloj rezultatesh edhe në nivel administrativ ndërkombëtar ishte pothuajse e pamundur për mua. Do të gënjeja nëse do të thoja se e mendoja që një ditë do të isha Zv.Presidenti i UEFA-s dhe se Kombëtarja shqiptare do të ishte në këtë nivel. Por unë që nga dita e parë kam punuar me përkushtim dhe pasion të madh, për të përmirësuar FSHF-në, strukturën e organizimit, infrastrukturën dhe për të arritur rezultate të mëdha me Kombëtaren”.
Hera e dytë në finalet e një Europiani – “Kualifikimi në “Euro2016” ishte ndryshe sepse ndodhi pas ngjarjeve të ndeshjes në Beograd kundër Serbisë. CAS-i na dha 3 pikë por edhe kundërshtarit iu zbritën 3 pikë si penalitet. Ne nuk ishim skuadra më bindëse në ato kualifikuese dhe nuk fituam ndaj Serbisë dhe Portugalisë në shtëpi. Për shkak të këtyre rezultateve na duhej të fitonim në Armeni dhe ky ishte një moment shumë emocionues për mua.
Në këto kualifikuese ne ishim skuadra më bindëse në rezultat dhe për mënyrën se si luajtëm. Ne ishim superiorë ndaj të gjithë kundërshtarëve, morëm katër pikë ndaj Çekisë, po aq ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe dhe 3 pikë ndaj Polonisë por me një golavarazh më të mirë në ndeshjet direkte. Gjatë kësaj periudhe kemi luajtur shumë mirë, kemi shënuar gola të bukur me përjashtim të ndeshjes së fundit që nuk jam shumë i kënaqur.
Shqipëria e De Biasit ishte një ekip mbrojtës, që përdorte kundërsulmin dhe e bëri shumë mirë. Shqipëria e Silvinjos është ndryshe, ka në filozofi një futboll sulmues. Për shembull në Moldavi, pavarësisht se barazuam në pjesën e parë ne kishim 82% të posedimit të topit, gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në histori për Shqipërinë.
Nëse do të më kishin pyetur para ndeshjes me Çekinë nëse do të isha i kënaqur me një barazim. Nuk prisja që të fitonim jo sepse ishim ekip më i dobët, por sepse kundër ekipeve të rëndësishme si Çekia nuk është e lehtë për të fituar dhe veçanërisht për t’i dominuar ashtu siç ne bëmë. Edhe ndaj Polonisë kisha të njëjtën ndjesi, dhe po, ishte fantastike të fitosh dhe të shihja ekipin të luante në atë mënyrë”.
Talentientet & infrastruktura moderne – “Që prej kohës që kam qenë President i FSHF-së i kemi zgjedhur lojtarët duke i dhënë shumë rëndësi të qenit njerëz të mirë. Ne kemi pasur fat në këto kohë sepse të gjithë lojtarët tanë janë njerëz shumë të mirë me zemër të madhe. Tani jemi në një gjendje shumë të mirë me një stadium të madh si ‘Air Albania’, me një kompleks të mrekullueshëm stërvitor dhe gjithçka tjetër. Në të kaluarën lojtarët e Kombëtares tonë për shkak të kushteve kanë sakrifikuar shumë”.
Sukseset e FSHF-së – “Ndryshimi i qasjes në FSHF dhe puna e madhe tani po njihet. Niveli është rritur, tani ne kemi më shumë se gjysmën e stafit tonë në FSHF që mbajnë pozicione të rëndësishme në UEFA”, përfundoi presidenti Duka intervistën.