image FSHF i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë: Të gjithë të vaksinuarit në stadium

Futboll

FSHF i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë: Të gjithë të vaksinuarit në stadium

news image

Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet një shkrese zyrtare i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njëkohësisht edhe Komitetit Teknik të Ekspertëve, hapjen e dyerve të stadiumeve në vend me kapacitet të plotë për të gjithë personat e vaksinuar.

Në shkresën e dërguar Ministres së Shëndetësisë, znj. Ogerta Manastirliu, FSHF kërkon që të lejohet prania e tifozëve shqiptarë në stadiume, në kuadër të ndeshjeve që klubet shqiptare po zhvillojnë në kompeticionin “UEFA Conference League” si dhe në mbështetje të Kombëtares shqiptare, në dy ndeshjet që kuqezinjtë do të zhvillojnë në shtator kundër Hungarisë dhe San Marinos, të vlefshme për Kupën e Botës 2022.

Federata e Futbollit jep shembuj konkretë se si përmes bashkëpunimit dhe kujdesit maksimal, mund të organizohen evente të mëdha, pa rrezikuar jetën e njerëzve, siç ishte edhe zhvillimi i Kampionatit Evropian 2020, apo edhe ndjekja e ndeshjeve në sheshin “Skënderbe” nga mijëra sportdashës, duke u treguar të kujdesshëm.

“Nisur nga këto eksperienca pozitive dhe inkurajuese, bashkuar me vaksinimin masiv të popullsisë nga ana e MSHMS, Ju drejtohemi me këtë kërkesë për lejimin spektatorëve në stadium me kapacitet të plotë, paraprakisht për klubet tona të cilat janë në një rrugëtim historik të kompeticionit më të ri Evropian, ashtu edhe të ekipit tonë kombëtar në ndeshjet deçizive të Shtatorit. Sërish, përtej të gjitha masave rigoroze të Protokollit të Rikthimit në Lojë të UEFA-s, dhe për të ruajtur sigurinë dhe shëndetin e lojtarëve dhe spektatorëve, ne si FSHF do të marrim masa që të hyjnë aksesin në stadium, në këtë fazë, ta kenë vetëm personat e vaksinuar”, – shkruhet në kërkesën e FSHF-së për Ministrinë e Shëndetësisë.

FSHF shprehet e gatshme të marrë të gjitha masat që tifozët e pranishëm në stadium do të jenë të vaksinuar si dhe do të ndiqet me rigorozitet të plotë Protokolli i Rikthimit në Lojë. /Gazeta Sinjali Sporti/