image Frikë në Korenë e Jugut, klubet e natës vatër e re e koronavirusit, shënohen mbi 100 raste të reja

Botë

Pandemia/ Frikë në Korenë e Jugut, klubet e natës vatër e re e koronavirusit, shënohen mbi 100 raste të reja

news image

Virusi COVID-19 rikthehet të përndjekë Korenë e jugut. Vendi renditej në listën e atyre që e kishin fituar betejën me pandeminë por infektimet janë shtuar ditët e fundit, duke nxitur frikën e një valë të dytë. Mbi 100 raste të reja u lidhën më një zonë popullore të jetës së natës në Seul, e kthyer tashmë në vatër të koronavirusit.

Itaewon, ku janë zbuluar infektimet, është një lagje multikulturore në Seul, ku jetojnë edhe shumë të huaj. Ajo është gjithashtu një e mbushur me biznese e klube nate, e frekuentuar  nga turistët.

Kjo ka shtuar frikën për përhapje të pandemisë, ndërsa autoritetet shëndetësore thanë se rastet e lidhura me klubet e natës ishin përhapur tani në 6 qytete rreth vendit.

“Isha atje në datën dy maj. Po kaloja dhe pashë grumbullime të mëdha njerëzish. 70% i tyre nuk kishin maskë. Do të shkoj të bëjë testin për koronavirusin sot”, thotë një banor i Sulit.

Rritja e rasteve erdhi pasi qeveria nisi zbutjen e masave të distancimit social, dhe konfirmon se sa e vështirë është të kontrollosh infektimet pas rikthimit në jetën normale.

Në një deklaratë të fundit, Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri thirrje për vigjilencë, mes sinjaleve se mund të ketë një shpërthim të ri të pandemisë në vendet që kanë relaksuar masat.

 “Për të mbrojtur jetët njerëzore është e nevojshme që kufizimet të hiqen në mënyrë tepër të ngadaltë dhe graduale. Gjatë fundjavës pati sinjale se sfida të reja mund të na presin”, Tedros Adhanomghebreyesus, kreu i OBSH-së.

Koreja e Jugut raportoi rritje të rasteve, gjithashtu Kina dhe Gjermania. Përmes testimeve masive dhe gjurmimit agresiv të kontakteve Koreja e Jugut arriti të ulë në numra një shifror rastet e reja, pa aplikuar kufizime mbarëkombëtare.

Por gjurmimi i kontakteve të lidhura me vatrën e re është vështirësuar nga fakti se disa klube nate frekuentohen kryesisht nga komuniteti gay. /Gazeta Sinjali/