Farmacitë në SHBA po përgatiten për një rritje të numrit të vaksinimeve gjatë sezonit të gripit që nis në muajin tetor, me shpresën për të frenuar dhjetëra mijëra raste serioze që mund të përkojë me një valë të dytë të infeksioneve me koronavirus.
Rrjeti i farmacive “CVS”, një nga më të më të mëdhenjtë në vend, njoftoi se po punon për të siguruar mjaftueshëm doza vaksinash që do të përmbushin kërkesën në rritje.
Rrjeti rival i farmacive “Rite Aid” ka porositur 40 për qind më shumë doza vaksinash për të përmbushur kërkesat. Farmacitë “Walmart” dhe “Walgreens” njoftuan gjithashtu se presin një rritje të kerkesës për vaksinën kunder gripit. Prodhuesit e vaksinës bënë të ditur se kërkesa është rritur me 10 për qind.
Sipas një sondazhi të kryer prej 13 majit deri 19 maj nga agjencia “Reuters” dhe kompania “Ipsos” që përfshiu 4,428 persona, rreth 60 për qind e amerikanëve planifikojnë të vaksinohen kundër e gripit në vjeshtë.
Normalisht më pak se gjysma e amerikanëve zgjedhin të vaksinohen.
Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e rekomandojnë vaksinën kundër gripit për të gjithë mbi moshën 6 muaj. Vaksina nuk të mbron nga COVID-19, por zyrtarët e shëndetit publik thonë se ajo do të jetë thelbësore për të parandaluar mbingarkesën në spitale me pacientë me grip dhe me COVID-19.
Ndërkohë deri dje në SHBA, numri i të infektuarve arriti në 1 milion e 660 mijë ndërsa ai i të vdekurve mbi 98 mijë./Gazeta Sinjali/