image Franca planifikon masa të reja kundër COVID-19

Evropë

Franca planifikon masa të reja kundër COVID-19

news image

Qeveria e Francës do të bëjë të ditur masat e reja kundër COVID-19 më 25 nëntor, pasi numrat e infeksioneve janë rritur në të gjithë vendin.

Zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal, tha se ekzekutivi po planifikon të shmangë kufizime të mëdha në jetën publike, duke preferuar që të forcojnë rregullat për distancim fizik dhe shpejtim të fushatës për vaksinim me dozën e tretë kundër koronavirusit.

Qeveria franceze, sipas Attal, do të shtrëngojë po ashtu rregullat për pasaportë të shëndetit.

Pandemia në këtë vend është paraparë të përkeqësohet në ditët në vazhdim pasi numri i infeksioneve nga 100 mijë brenda javës, parashihet të arrijë mbi 200 mijë në një apo dy ditët e ardhshme.

“Duhet të mbrojmë francezët duke ndërtuar mbi atë që kemi, për të shpëtuar festimet e fundvitit dhe të kalojmë dimrin sa më mirë që është e mundshme”, tha Attal në një konferencë për media.

Pasaporta e shëndetit në Francë mundëson hyrjen në kafene, restaurant, muze, kinema dhe vende të tjera publike, për persona që janë të vaksinuar ose kanë një test negativ për COVID-19.

Sipas presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kjo pasaportë është një nga arsyet kryesore pse Franca gjendet në një pozitë më të mirë sa i përket pandemisë në krahasim me shtetet fqinje.

Deri më tani, doza e tretë e vaksinës është në dispozicion vetëm për personat më të vjetër se 65 vjet, si dhe personat në rrezik.

Por, nga 1 dhjetori, doza e tretë do të vihet në dispozicion për moshat nga 50 deri në 64 vjeç, raporton REL.

Personat mbi 65 vjeç do të duhet të paraqesin dëshmi për vaksinim me dozën e tretë, në mënyrë që pasaporta e tyre e shëndetit të vazhdojë të jetë e vlefshme./GazetaSinjali/