image Franca paralajmëron Rusinë: NATO-ja e gatshme ta mbrojë sovranitetin e Ukrainës

Evropë

Franca paralajmëron Rusinë: NATO-ja e gatshme ta mbrojë sovranitetin e Ukrainës

news image

Franca i tha Rusisë të hënën se NATO-ja do të ishte e gatshme që ta mbrojë sovranitetin e Ukrainës, afër së cilës NATO-ja thotë se Moska ka filluar të grumbullojë ushtarë. Udhëheqësit perëndimorë ndërkohë po mundohen që ta trajtojnë krizën me emigrantë në kufirin lindor të BE-së.

Bashkimi Evropian ra dakord të shtojë sanksionet kundër Bjellorusisë për mijëra emigrantë të bllokuar në pyjet e ngrira në kufijtë e saj me BE-në. Bjellorusia, një aleat i ngushtë rus, tha se pohimet se kishte nxitur krizën ishin “absurde”.

Duke folur në telefon me homologun rus, Vladimir Putin, si pjesë e një vargu bisedash mes udhëheqësve perëndimorë, Rusisë, Bjellorusisë e Ukrainës, presidenti francez, Emmanuel Macron, e shprehu shqetësimin e tij të fortë për gjendjen në kufijtë e Ukrainës, shkruan Reuters.

Gatishmëria jonë për t’i mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës u ritheksua nga presidenti”, tha këshilltari i Macronit para gazetarëve rreth bisedës telefonike që u zhvillua me nismën e presidentit francez.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti “të gabuar” deklaratën e Departamentit të Shtetit të ShBA-së se kriza në Bjellorusi ka për qëllim që ta largojë vëmendjen nga aktiviteti i shtuar ushtarak rus afër Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca nuk dëshiron që të spekulojë për qëllimet e Rusisë rreth Ukrainës.

Po shohim një koncentrim të pazakontë të trupave dhe e dimë se Rusia ka qenë e gatshme për t’i përdorur këto lloje të aftësive ushtarake në të kaluarën për të kryer veprime agresive kundër Ukrainës”, tha ai.

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara tha se po vazhdon të vërejë grumbullim të forcave ruse me aktivitet të pazakonshëm ushtarak afër kufirit me Ukrainën.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se një gjë e tillë është shqetësuese dhe se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, do të takohet të enjten me homologun ukrainas.  /GazetaSinjali/