Oficerët e doganave në Francë kanë sekuestruar një jaht që i përkiste shefit të Rosneft, Igor Sechin, teksa po përpiqej të largohej nga porti mesdhetar La Ciotat, tha Ministri i Financave Bruno Le Maire.
E tëra ndodhi pasi shtetet perëndimore po zbatojnë me shpejtësi sanksione të ashpra, duke përfshirë ngrirjen e aseteve, kundër Rusisë për pushtimin e fqinjit të saj Ukrainën, shkruan Al Jazeera.
“Amore Vero” 88 metra, mbërriti në La Ciotat më 3 janar dhe do të qëndronte atje deri më 1 prill për riparime, tha ministria e financave në një deklaratë të enjten, duke shtuar se anija ishte cak i sanksioneve të reja.
Por të mërkurën, oficerët doganorë vunë re se jahti “po ndërmerrte hapa për të lundruar urgjentisht, pa përfunduar puna e riparimit”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se për këtë arsye oficerët vendosën ta kapnin atë.