Franca ka dyfishuar sigurinë kufitare për shkak të sulmeve terroriste që janë në rritje e sipër kohëve të fundit, transmeton Gazeta Sinjali.
Presidenti francez, Emmanuel Macron në rajonin kufitar Pyrenees-Orientales mes Francës dhe Spanjës ku ndodhej për të inspektuar kontrollin kufitar tha se kanë dyfishuar sigurinë në kufijtë e tyre në kuadër të luftës kundër kërcënimit nga terrorizmi, kundër trafikimit dhe migracionit të paligjshëm.
“Në kuadër të kësaj, numri i forcave të pjesëtarëve të sigurisë në kufi nga 2.400 u rrit në 4.800”, tha Macron duke shpjeguar se ky vendim u mor për shkak të rritjes së kërcënimit të terrorizmit në vend.
Ai më tej tha se autorët e akteve terroriste janë persona që kanë hyrë në vend nëpërmjet pikave të kalimit të refugjatëve.
“Në muajin dhjetor do të paraqesim propozim në këtë drejtim në Samitin e Liderëve të Bashkimit Evropian”, deklaroi Macron i cili shtoi se janë pro që të shqyrtohen “thellësisht” kontrollet e kufijve në zonën Schengen.
Më 29 tetor në kishën Notre Dame në qytetin Nice në juglindje të Francës u krye një sulm me thikë ku humbën jetën 3 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.
Pas sulmit plani i luftës kundër terrorizmit në të gjithë vendin u vendos në nivelin e “sulmit emergjent”.
Jean-François Ricard, prokurori i anti-terrorizmit në Francë, njoftoi se agresori ishte 21-vjeçari tunizian dhe se ai kishte mbërritur në Francë më 9 tetor duke hyrë më 20 shtator nga ishulli Lampedusa të Italisë.