Kundërshtimi i Francës për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë është kryefjala e mediave ndërkombëtare.
Reuters dhe Financial Times shkruajnë se “Franca është në qendër të sulmit për shkak të gabimit historik të bllokimit të shpresave të Ballkanit për Bashkimin Europian.”
Në veçanti, në qendër të sulmit është Presidenti Emanuel Macron.
“Gjate darkës në samit, të gjithë përveç Macronit, e mbështetën hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, e cila është gjykuar se i ka përmbushur kriteret e Bashkimit Europian me reformat dhe mbylljen e konfliktit me fqinjët për çështjen e emrit”, shkruan Reuters.
“Hyrja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, Macron zhgënjen aleatët e tij” është titulli që mban artikulli i Huffington Post.
Gazeta përmend kancelaren Angela Merkel dhe Presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, të cilët e quajtën zhgënjyes qëndrimin e Presidentit të Francës një “gabim të rëndë historik”.
Edhe BBC, e nis artikullin mbi këtë çështje me vëmendjen tek zemërimi i zyrtarëve të lartë të BE pasi një pjesë e vogël e vendeve anëtare, të udhëhequra nga Franca, bllokuan Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga fillimi i bisedimeve të anëtarësimit.
Politico e sheh vendimin tek divergjencat mes Francës që ka mundur të bëjë për vete Holandën dhe Danimarkën dhe bllokut tjetër të shumicës së vendeve anëtare të BE-së, që mbështesin Gjermaninë.
Ajo citon presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili tha: “Dua të jem shumë i qartë: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk duhet të fajësohen për këtë”.
Ndasitë mes Merkel e Macron i vë në dukje edhe Euractiv, që shkruan se, ndonëse në fjalimet e tyre në fund të Samitit të Këshillit Europian ata u përpoqën të tregonin një front të bashkuar për çështjet e BE, ndryshimet në mendime ishin të dukshme.
Prestigjiozja amerikane Washington Post shkruan mosdakordësia e liderëve europianë për hapjen e negociatave të anëtarësimit për dy vendet është një tërheqje e sikletshme që mund të irritojë rajonin.