Terroristin Kujtim Fejzullai fqinjët e tij e përshkruajnë si një djalë të qetë dhe të komunikueshëm. Sipas mediave austriake, disa orë para se të kryente sulmet vrastare, ai i kishte ndihmuar fqinjët e tij.
Gordana Nikoliç, 68 vjeçare ka qenë fqinje me Fejzullai në Vjenë, në një rrëfim për mediat e Austrisë ka treguar se ai e kishte ndihmuar me çantat e pazarit.
“Ai po zbriste shkallët nga apartamenti i tij dhe u turr drejt meje për të më ndihmuar me çantat. I thashë se nuk ishte e nevojshme, por ai këmbënguli të më ndihmonte. Kështu që mori çantat dhe i vendosi tek dera e banesës time. Ai ishte i qeshur, i lumtur dhe po bisedonte, dukej krejtësisht normal”, ka thënë 68-vjeçarja.
Gjashtë orë pas këtij veprimi, 20-vjeçari doli i armatosur në rrugët e Vjenës dhe nisi të qëllonte ndaj qytetarëve.
Kujtim Fejzullai mbeti i vrarë nga përballja me policinë. Sulmet ndodhën në mënyrë të koordinuar në 6 zona të ndryshme të kryeqytetit të Austrisë. Katër persona u vranë nga këto sulme dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur.
Fqinjët e Kujtim Fejzullai kanë thënë se 20-vjeçari ishte takuar atë ditë edhe me dy persona të tjerë.
“Si mund ta merrja me mend që djalli jetonte përballë derës time? Është e frikshme kur mendon që një vrasës jetonte kaq pranë shtëpisë tënde. Të duket e pabesueshme”, ka thënë Kevin Dima, një djalë 26-vjeçar, banor i pallatit ku jetonte Kujtim Fejzullai./Gazeta Sinjali/