image Fondi rezervë i Kosovës mbetet pa asnjë cent

Kosovë

Qeveria Haradinaj/ Fondi rezervë i Kosovës mbetet pa asnjë cent

news image

Qeveria në largim e Kosovës tashmë ka shpenzuar më shumë se 6 milionë euro nga Fondi rezervë i buxhetit për këtë vit. Ky Fond, sipas ligjit mund të shpenzohet vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara. Vlera më e madhe e shpenzimeve, sipas të dhënave të publikuara nga qeveria, përfshin çështje të cilat nuk kanë të bëjnë me destinimin e këtij fondi.

Fillimisht, 4.8 milionë euro ishte vlera e ndarë nga buxheti i Kosovë për rezerva shtetërore, por Ministria e Financave, në fund të muajit nëntor, vendosi që t’i bartë edhe 500 mijë euro në Fondin Rezervë. Këto mjete, më pas, sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës u ndanë në kuadër të ndihmave për Shqipërinë pas tërmetit që la pas më shumë se 50 viktima në njerëz, rreth 1 mijë të lënduar dhe dëme të mëdha materiale.

Ndërkaq 800 mijë euro tjera, mjete të buxhetit, në këtë fond janë bartur javën e kaluar, duke arritur kështu shpenzimet në mbi 6 milionë euro.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në detyrë të Financave në Qeverinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se tashmë llogaria e Fondit Rezervë është zero.

“Në qoftë se marrim raportin prej fillimit të vitit e deri më tani, në Fondin Rezervë kanë qenë 6 mijë e 130 euro. Kurse në mbledhjen e fundit të qeverisë, pjesa e mbetur është transferuar në zyrën e kryeministrit dhe tashmë nëse e shohim si Fond, si kategori, ai është zero”, tha Rafuna.

Në mbledhjen fundit të mbajtur më 17 dhjetor, Qeveria në detyrë e Kosovës,nga Fondi rezervë ka ndarë 390 mijë euro për shoqatat e dala nga e lufta e UÇK-së, 70 mijë euro për nevojat e Koordinatorit Nacional për Rini dhe Kulturë, kurse pjesën e mbetur në Fondin Rezervë prej 350 mijë eurosh, qeveria ka marrë vendim ta kalojë në buxhetin e zyrës së kryeministrit.

Por, kryeministri në largim i Kosovës Ramush Haradinaj është shprehur se nuk ka informacione për vlerën dhe për cilat kategori janë ndarë.

“Hyni dhe gjeni vendimet e qeverisë, të gjitha janë transparente, i gjeni shumat e ndara sepse nuk i di detajet. Kryetari i qeverisë nuk i dinë detajet, e dinë nga ka ardhur kërkesa kush e ka mbështetur, por në finalizim janë mekanizma tjerë ata i dinë detajet”, ka thënë Haradinaj në një konferencë pas mbledhjes së qeverisë.

Por, zyra e kryeministrit të Kosovës nuk ka dhënë ndonjë përgjigjeje lidhur me ndarjen e këtyre mjeteve, konkretisht lidhur me bartjen e 350 mijë euro nga Fondi rezervë në zyrën e kryeministrit të Kosovës.

Në anën tjetër, njohës të kësaj çështjeje, konsiderojnë se shpenzimi i mjeteve nga rezervat buxhetore për qëllime joemergjente, është abuzim me paranë publike.

Ish-drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë për Radion Evropa e Lirë, se shpenzimi i këtyre mjeteve është joligjor.

“Vetë emërtimi i Fondit tregon që këto para nuk duhet të preken, duhet të qëndrojnë si rezervë, si Fond i zi, të cilin shteti mund të përdorë vetëm në raste të jashtëzakonshme, në raste të paplanifikuara. Kosova ka buxhetin e planifikuar për aktivitete të planifikuara dhe si një pjesë që duhet të qëndrojë rezervë dhe të shpenzohen për gjërat të cilat nuk planifikohen, por mund të ndodhin. Kështu që çdo prekje e atij buxheti është joligjor, johuman dhe jo i drejtë”, tha Preteni.

Nga 6,1 milionë eurot e rezervave shtetërore, Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për realizimin e aktiviteteve të shënimit të 11-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 300 mijë euro për Delegacionin shtetëror të Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë, 143 mijë euro mbështetje për ekipin olimpik të Xhudos “Ippon” në Pejë dhe 112 mijë euro për rregullimin e këndit të fëmijëve dhe Parkut të Paqes në Preshevë.

Po ashtu, janë ndarë 115 mijë euro për punën e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, pastaj 171 mijë euro për kompensimin e shtesave dhe stimulimin financiar për vitin 2019 prokurorëve specialë, kurse për themelimin e Qendrës Përkujtimore në Bllacë, qeveria ka ndarë 100 mijë euro.

Kurse vlera nën 100 mijë euro u janë ndarë për shoqata apo organizata të ndryshme.

Sipas ligjit përkatës, organizatat përkatëse buxhetore mund të aplikojë në ministri për fonde shtesë, por që në aplikacion duhet të shpjegojnë arsyen pse këto fonde nuk kanë mundur të parashikohen./Gazeta Sinjali/