image “Fokusi i vetëm te ‘finalja’ me Çekinë”, krejt çka tha sot trajneri Silvinjo

Futboll

“Fokusi i vetëm te ‘finalja’ me Çekinë”, krejt çka tha sot trajneri Silvinjo

news image

Kombëtarja shqiptare do të luajë një nga ndeshjet më të rëndësishme të enjten e 12 shtatorit në stadiumin ‘Air Albania’ ndaj Çekisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’.

Trajneri i kuqezinjve, Silvinjo, doli paraditen e kësaj të shtune në një konferencë për media në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ku foli për listën e 25 lojtarëve të grumbulluar për dy sfidat kundër Çekisë fillimisht e më pas edhe për takimin ndaj Bullgarisë, miqësorja e planifikuar për t’u luajtur më 17 tetor po në stadiumin ‘Air Albania’.

Trajneri brazilian u shpreh i kënaqur me formën e mirë që po kalojnë kuqezinjtë me klubet e tyre dhe për grupin që ai ka në dispozicion për këto kualifikuese, ndërsa komentoi edhe Çekinë, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin.

Për trajnerin tashmë vlen vetëm ndeshja ndaj Çekisë dhe kërkon që skuadra të ketë mentalitetin e duhur dhe të vendosë shpirtin dhe zemrën në fushë, duke dhënë 100% e tyre në çdo repart të fushës.

Silvinjo tregoi gjithashtu për gjendjen e Ardian Ismajlit, i cili u dëmtua në takimin me Empolin mbrëmjen e kaluar, arsyen se pse nuk është grumbulluar Amir Abrashit dhe rikthimin e Armando Brojës në radhët e kuqezinjve, i cili mungon që prej nëntorit të kaluar në Kombëtaren shqiptare.

Më poshtë, konferenca e plotë e trajnerit Silvinjo:

Dëmtimi i Ardian Ismajlit dhe gjendja e tij – Sa i përket gjendjes së Ismajlit, i cili është dëmtuar në ndeshjen e fundit me klubin, ne e kemi monitoruar, e kemi ndjekur me shumë kujdes gjendjen e tij. Ai ka pësuar edhe një dëmtim në 24 shtator ndaj Interit. Nuk jemi shumë të qartë se çfarë ka ndodhur, megjithatë ne flasim me klubin dhe lojtarin. Doktor Stessina ka komunikuar vazhdimisht me klubin e Empolit dhe presim analizat që do të bëhen sot dhe do të bëjmë vlerësimet tona. Është një lojtar i rëndësishëm, një lojtar titullar i Shqipërisë dhe nëse nuk ia del të rikuperohet, do të shikojmë si do të procedojmë. Kemi kohë, në listë kemi 25 lojtarë për një ndeshje. Janë të mjaftueshëm për të përballuar ndeshjen. Kemi dhe lojtarë të tjerë që mund të kenë një problem të vogël fizik, por me këtë listë që kemi bërë, jemi gati dhe nuk kemi probleme.

Forma e mirë që po kalon sulmi shqiptar – Kemi përpara një ndeshje, kemi grumbulluar 25 lojtarë dhe nëse i hidhni një sy listës ka vetëm një ndryshim. Nuk është Roshi dhe kemi ftuar Brojën. Kemi ekuilibrin e duhur. Më vjen shumë mirë që të gjithë lojtarët aktivizohen, luajnë me klubet e tyre, shënojnë. Qoftë edhe ata që nuk janë në këtë grumbullim, por që ne i kemi në planet tona. Ne i monitorojmë të gjithë. Më vjen shumë mirë që një pjesë e tyre japin asist dhe shënojnë gola dhe ne jemi aty gjithmonë duke i ndjekur. Para ndeshjes me Çekinë, të gjithë lojtarët janë të karikuar. Po mendojmë vetëm për këtë ndeshje. Nuk kam asnjë shqetësim tjetër sa i përket të ardhmes apo Europianit. Kemi një ndeshje të rëndësishme ndaj Çekisë, një skuadër shumë e fortë. Nuk ka asnjë humbje, ka pësuar vetëm dy gola. Duhet të shkojmë në këtë sfidë me mentalitetin e duhur. Jam shumë i lumtur për lojtarët. E pata thënë edhe para ndeshjes me Poloninë. Vërtetë Polonia ka një grup cilësor, por edhe ne kemi një grup po aq cilësor dhe jam shumë i lumtur që kam këto lojtarë në dispozicion.

Mungesa e Amir Abrashit për herë të dytë me Kombëtaren – Siç e kemi thënë edhe në ndeshjet e shtatorit, Abrashi është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, por në këtë sfidë ne kemi nevojë për centimetra, sidomos në mesfushë. Gjasula është një zgjedhje e duhur, nëse e krahasoj me Abrashin. Ka luajtur në dy ndeshjet e fundit dhe na ka dhënë një ndihmë të madhe. Konkurrenca është e fortë dhe e rëndësishme. Abrashi është një lojtar me shumë vlera, por zgjedhja është bërë për shkak se kemi nevojë për centimetra në mesfushë.

Takimet me lojtarë të Kombëtares, çfarë këshillash u keni dhënë? – Ndryshe nga puna në klub, në Kombëtare nuk kalojmë shumë kohë me lojtarët. Për stafin është shumë e rëndësishme që të ulemi herë pas here, të flasim me lojtarët. Për këtë arsye kemi vendosur të bëjmë këto ture dhe të takojmë lojtarët. Gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe jam i kënaqur nga përshtypjet që kam marrë nga këto takime, nga atmosfera e lojtarëve në aspektin psikologjik sidomos. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm që kemi një ndeshje të rëndësishme përpara dhe të gjithë e kanë të qartë që kemi ardhur deri në këtë pikë duke vënë shpirtin dhe zemrën në fushën e lojës, duke djersitur shumë. Ne i tregojmë rrugën, por forca e skuadrës është shpirti i garës. Jam shumë i lumtur edhe për tifozët sepse na kanë mbështetur shumë. Lojtarët e dinë shumë mirë se çfarë presim ne nga ata dhe çfarë duhet të bëjmë në fushën e lojës.

Objektivi përballë Çekisë 3 pikët, apo do të luajmë me llogari? – Siç e kam thënë që në fillim, që në muajin mars, llogaritë tona duhet t’i bëjmë në nëntorë  dhe jo tani. E kemi thënë gjithmonë që është një grup shumë i fortë, jemi në një grup shumë të fortë, ka shumë ekuilibër, dhe nuk jemi në gjendje të bëjmë llogaritë tani sepse kemi përpara një sfidë shumë të rëndësishme dhe të vështirë. Sigurisht luajmë në shtëpinë tonë, atmosfera do të jetë shumë e bukur, kemi mbështetjen e tifozëve tanë dhe gjithçka mund të ndodhë, por ne do të kemi në fushën tonë kampionë në të dyja anët.

Mesfusha dhe sulmi të mbipopulluar me lojtarë të talentuar, do të jetë problem përzgjedhja? – Problemet e luksit për një trajner janë gjithmonë pozitive, sidomos kur lojtarët luajnë, lojtarët janë në formë të mirë, shënojnë, janë të rëndësishëm, vijnë me entuziazëm, vijnë në një gjendje shumë të mirë me klubet e tyre. Për një trajner sigurisht është një avantazh një situatë e tillë, por ja kam bërë të qartë lojtarve, ne nuk kemi 11 lojtarë që zbresim në fushë, por kemi 25 dhe të 25- të janë po aq të rëndësishëm sa çdo individ. Ata e kanë kuptuar këtë, kemi patur lojtarë që janë futur gjatë lojës, kanë luajtur 15 minuta dhe kanë bërë paraqitje fantastike,  kanë dhënë gjithçka në fushë, kanë bërë diferencën  dhe kjo është diçka shumë e mirë. Është pikërisht ajo që ne na duhet, unë nuk e kam problem nëse kam të tilla probleme luksi, pra nuk është se më shqetëson kjo gjë, është diçka vetëm pozitive, por nuk kam vetëm 11 lojtarë dhe duhet të jemi të gjithë të bashkuar.

Për herë të parë kemi një trajner me lojtarë  që na argëtojnë – Ne kemi lojtarë të mirë dhe më vjen mirë që ata argëtojnë tifozët, por është shumë e rëndësishme pjesa e kolektivit. Në qoftë se bëjmë një përmbledhje figurative është shumë e rëndësishme puna që bëhet pa top dhe jo thjeshtë ajo që bëhet me top. Ne vrapojmë shumë, luftojmë, kemi një ekip që luftonë shumë dhe nuk bënë mirë vetëm kur ka topin në fushë por edhe jashtë fushe, edhe lojtarët që janë në stol, të gjithë e dinë, e kanë kuptuar që ky është një ekip që përfaqëson të gjithë vendin, njerëzit kur e shohin ndihen krenar dhe thonë që kjo është skuadra ime. Kombëtarja është diçka ndryshe dhe jam shumë i qetë në këtë sens sepse e di që lojtarët e ndjejnë përgjegjësinë që kanë në çdo minutë në fushë dhe jashtë saj. Sa i përket entuziazmit është normale që të ketë entuziazëm jashtë ambienteve apo në opinionin publik ,është krejt normale por duhet të sigurojë që brenda skuadrës, brenda stafit, punës tonë nuk ka fare eufori. Ne e kemi mendjen vetëm te Çekia, ndeshje shumë e fortë, kemi përpara tre finale dhe jemi në një grup të vështirë. Çekia nuk ka bërë asnjë humbje, skuadër shumë fizike, shumë e fortë, e strukturuar  dhe ne po punojmë vetëm për këtë ndeshje, jemi shumë të qetë dhe nuk kemi asnjë lloj problemi, nuk e kemi mendjen as te euforia, as te ndonjë problem tjetër.

Strategjia për ndeshjen me Çekinë – E kemi thënë shpesh që kemi përballë një rival të vështirë dhe normalisht që nuk është e lehtë që të kuptosh se çfarë strategjie ka menduar një rival në një ndeshje të tillë. Por sigurisht që është një histori tjetër, është një ndeshje tjetër, do të jemi dy ekipe që kemi pikat tona të forta dhe të dobta dhe sigurisht secili do të bëjë strategjinë e vet, është krejt normale. Por dua të theksoj që do të jetë një ndeshje shumë e bukur, ashtu si edhe në Pragë do të jetë një ndeshje ku do të ketë shumë vlera teknike dhe fizike. Do të jetë një ndeshje e shpejtë me tranzicione, ku do të ketë shumë energji të shpenzuara në fushën e lojës. E njëjta gjë ndodhi edhe në ndeshjen e parë në Pragë, pak a shumë e njëjta histori në këtë sens, pra figura e përmbledhur është e njëjta. Ne e kemi parë dhe riparë sigurisht ndeshjen, Çekia është një kundërshtar shumë i fortë, vjen me katër, pesë lojtarë në zonë me krosime dhe lojtarët janë shumë të gjatë, gjë që e kemi thënë edhe në të kaluarën. Sigurisht do të jetë një ndeshje krejt ndryshe për t’u parë.

Rikthimi i Brojës ka sjellë entuziazëm te tifozët. A është gati që të luajë titullar? – Sa i përket Brojës, unë kam qenë në Londër, e kam takuar lojtarin, kemi folur dhe ka qenë një atmosferë shumë e mirë. Mendoj se klubi i Çelsit po punon shumë mirë me lojtarin, për mënyrën se si po e trajton rikthimin e tij në fushën e lojës. Sigurisht ai ka pësuar një dëmtim shumë të vështirë, ka bërë një operacion të vështirë. U rikthye para pak ditësh, bëri një 10 minutësh plus shtesat ndeshjen e parë. Pastaj erdhi edhe debutimi si titullar me Fulhemin, ku shënoi edhe gol. Jemi shumë të lumtur dhe sigurisht që ne e kemi ndjekur, jo vetëm atë, por të gjithë lojtarët. E kam thënë, e kuptoj pjesën e entuziazmit që ka te tifozët, tek opionioni publik. Renditja është e bukur për t’u parë, ne jemi në vendin e parë, kemi bërë ndeshje të mira dhe kemi marrë pikë. Dua t’ju siguroj se brenda ekipit, në staf, në skuadër nuk është se ka shumë entuziazëm dhe të gjithë janë të ndërgjegjshëm. Forca e këtij ekipi, ajo që na ka sjellë ne në këtë pikë që jemi në lojë për t’u kualifikuar, nuk janë një, dy apo tre lojtarë, por është i gjithë grupi. Kemi djersitur shumë për të ardhur deri këtu. Jam shumë i kënaqur që Broja rikthehet, që e kemi këtu, por ne kemi dhe shumë lojtarë po aq të mirë. Do e vlerësojmë gjendjen e tij kur ai të vijë me ekipin. Do e shohim nga afër, do e shohim, do kemi 2-3 ditë kohë për ta parë në çfarë gjendje është dhe më pas të marrim vendimet tona. Kemi edhe ndonjë problem tjetër të vogël, siç është Cikalleshi, pasi kishte pësuar një dëmtim më 16 shtator dhe ka qëndruar për katër ditë pushim absolut. Tani ka 12 ditë që stërvitet i diferencuar, ndërkohë që është rikthyer më 2 tetor me skuadrën dhe ka një ndeshje përpara. Duhet parë dhe vlerësuar edhe gjendja e tij fizike, si do na vijë në grumbullim. E njëjta gjë edhe për Baren, që gjithashtu ka pasur një problem fizik. Do flasim me të këtu.

Si do e ndërtoni manovrën sulmuese ndaj Çekisë? – Akoma nuk kemi nisur grumbullimin, mezi pres të takoj lojtarët, të vijnë këtu. Ndoshta nga e diela do ketë lojtarë në grumbullim, por të hënën pasdite do jemi pothuasje të kompletuar dhe do flasim me ta, të diskutojmë shumë gjëra, qoftë për situatën e tyre, qoftë për ndeshjen. Kjo nuk është ndeshje që ndahet kaq thjesht, a do luajmë më shumë në sulm apo a do luajmë më shumë në mbrojtje. Është një ndeshje ku për 90 minuta të tëra duhet të luajmë sa në mbrojtje, edhe në sulm. Kemi parasysh që është një ndeshje që kërkon shumë energji për ta përballuar. Duhet të përgatitemi mirë dhe të kemi ekuilibrin e duhur. Të mërkurën do të vendosim përsa i përket strategjisë së lojës që do të ndjekim.

A ju kanë kërkuar bileta miqtë apo të njohurit? – Sa i përket batutës, apo pyetjes, është bukur të shohësh gjithë këtë interes të tifozëve. Fakti që të gjithë duan të vijnë në stadium, që të gjithë duan të ndjekin Kombëtaren, do të thotë që lojtarët kanë luajtur mirë dhe shpirti i skuadrës ka qenë i duhuri. Personalisht nuk kam asnjë minutë për të menduar për biletat, thjesht bashkëshortja ime do të vijë në stadium dhe kaq. Kam në mendje vetëm ndeshjen, kam folur me lojtarët dhe stafin dhe në mendjen time është të përgatitim sa më mirë këtë ndeshje, asgjë tjetër.

A kishit menduar për prurje të reja me Bullgarinë, që të provonit ndonjë lojtar? – Ne nisim tani përgatitjet për ndeshjen me Çekinë. E kemi thënë që kemi tre finale. Është një ndeshje shumë, shumë e rëndësishme, pastaj kemi miqësoren me Bullgarinë. Sigurisht që nuk më pëlqen të flas tani për miqësoren me Bullgarinë. Normalisht e kam mendjen vetëm te Çekia, pastaj mund të diskutojmë për ndeshjen me Bullgarinë. Sa u takon emrave konkretë që më pyetët, Muçolli është një lojtar që më pëlqen shumë, një mëngjërash, e kam ndjekur që prej gjashtë muajsh. Është një lojtar në formë, që po paraqitet shumë mirë në Suedi, po shënon gola. Në këtë moment që flasim kemi 25 lojtarë, madje kemi dy lojtarë më shumë se sa na duhen, pasi 23-shi është standard. Unë nuk mund të grumbulloj dot 30 apo 32 lojtarë, nuk është momenti. Unë mendjen e kam vetëm te ndeshja me Çekinë, se si ta përgatitim sa më mirë. Pas asaj ndeshje mund të flasim edhe për sfidën me Bullgarinë. Ka shumë lojtarë të tjerë rrotull nëpër Europë, shqiptarë që po luajnë mirë, që unë i ndjek dhe i shoh. Në të ardhmen mund të jenë me Kombëtaren. Në momentin që flasim nuk është koha për të bërë eksperimente, ndryshime. I vetmi ndryshim në listë është Roshi që mungon dhe ka ardhur Broja. Në të ardhmen do të flasim sërish.

/GazetaSinjaliSporti/