image Flet mjeku që e kontrolloi 77-vjeçarin që ishte rasti i parë me koronavirus në Kosovë

Kosovë

Pandemia/ Flet mjeku që e kontrolloi 77-vjeçarin që ishte rasti i parë me koronavirus në Kosovë

news image

Vizita e 77-vjeçarit nga Stublla mbrëmjen e së enjtes në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare në Viti ka bërë që të izolohen 17 punëtorë të personelit shëndetësor në këtë komunë pasi ai u konfirmua si personi i parë në Kosovë i infektuar me virusin pandemik Covid-19.

Mjeku (emër i njohur për redaksinë) i cili e kishte kontrolluar fillimisht 77-vjeçarin, në një prononcim për Gazetën Sinjali ka hezituar të flas gjerësisht për rastin, ndërsa ka thënë se as nuk është izoluar e as nuk është duke punuar.

“Jo nuk jam në izolim. As nuk jam duke punu. S’jam izolu dhe nuk jam duke punu”, ka thënë ai me insistim.

Ndonëse fillimisht ka pranuar t’i parashtrohen pyetjet dhe të përgjigjet, në vijim mjeku ka thënë se “Nuk mundem me dhënë deklaratë, nuk jap deklaratë”.

Kur është pyetur se pse nuk është duke punuar meqenëse thotë se s’eshtë në izolim, mjeku është përgjigjur me “Kalofshi bukur”.

Megjithatë, në një postim të djeshëm në Facebook ku i ka ftuar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, t’i lajnë duart e të mos bëjnë panik, mjeku ka shkruar “Vazhdojmë pas 14 ditëve! inshaAllah!”, duke konfirmuar se është në vetizolim.

Se 17 punëtorë të personelit shëndetësor janë vetizoluar e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe drejtoresha e QKMF-së në Viti, Vjollca Kadolli.

Kadolli ka thënë se i infektuari me koronavirus kishte kontakte me 5 persona nga personeli mjekësor, përfshirë doktorin në fjalë, derisa ambienti ku kishte qëndruar 77-vjeçari natën e së enjtes, ishte dezinfektuar vetëm të nesërmen në mëngjes.

Siç ka thënë Kadolli, 17 punëtorët shëndetësorë të Vitisë po vazhdojnë të qëndrojnë në vetizolim nëpër shtëpi të pabanuara, derisa ka thënë se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Deri tani, në Kosovë janë konfirmuar 5 raste me koronavirus, ndërsa qeveria ka marrë një sër masash për parandalimin e përhapjes së pandemisë, përfshirë izolimin e Vitisë, Klinës dhe Malishevës, vende prej të cilave vijnë personat e infektuar. /Gazeta Sinjali/