image Flet mjeku nga vetizolimi në QKMF të Vitisë, tregon për problemin me ushqim

Kosovë

Flet mjeku nga vetizolimi në QKMF të Vitisë, tregon për problemin me ushqim

news image

Adnan Çoçaj, mjeku i cili gjendet në karantinë në QKMF në Viti, ka thënë se nuk i është bërë testi për koronavirus, por ai ka theksuar se nuk ka simptoma se është i infektuar. Çoçaj në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se vetizolimin e ka bërë për sigurinë e familjes dhe popullit, pasi ai ka pasur kontakt me një person i cili ka rezultuar se është i prekur nga virusi Covid-19.

“Zyrtarisht nuk jam i izoluar, por i karantinuar. Jam në karantinë, jo izolim për çështje të sigurisë tonë, familjare, të popullatës”, ka thënë Adnan Çoçaj për Gazetën Sinjali.

Çoçaj është shprehur se i shqetëson fakti se një politikan i cili nuk ka pasur kontakt me personat e infektuar e ka bërë testin për koronavirusin, ndërsa mjekët të cilët kanë pasur kontakt direkt jo. Sipas tij ky është imazh jo i mirë.

“Edhe 6 ditë do të jam në karantinë. Testet nuk na u kanë bë sepse nuk kemi shenja dhe simptoma klinike me të cilat do të arsyetohet testi, por po na shqetëson fakti se dikush ndoshta nuk ka ra hiç në kontakt me pacientin siç kam rënë unë, pasi e kam kontrolluar pacientin i cili ka dal pozitiv edhe nuk kom bë test e dikush se vetëm ka qenë në një aheng. Ka kënduar një këngëtar që ka dal pozitiv u shkuar e ka bërë testin , kjo pak na shqetëson, por ne jemi mjek e nuk e kemi këtë problem, por kjo në popullatë i bie keq sepse mjeku qenka i pa rëndësishëm e një politikan apo një individ qenka shumë më shumë”, ka thënë ai.

Çoçaj ka bërë të ditur se në karantinë kanë qenë 17 persona dhe për dy net kanë qëndruar të gjithë në QKMF. Ai ka theksuar se vendimin për të hyrë në karantinë e ka marrë drejtoresha e QKMF-së, pas konsultimit të organeve kompetente.

“Për momentin vetëm unë jam në QKMF në Viti, në fillim kemi qenë 17 persona, dy netë kemi qëndruar 17 pasona. Vendimi për me hy në karantinë ka qenë i drejtoreshës i përkrahur nga të gjithë, pasi që drejtoresha në fillim e ka kontaktuar Institutin e Shëndetësisë, Ministrinë, Gjilanin nuk ka mundur të marrin përgjigje të saktë si të veprojnë, pastaj me konsultën e organeve komunale kanë vendos më hy në karantinë ende pa na dhënë përgjigje”, ka thënë ai.

Çoçaj ka njoftuar se kanë pasur problem me ushqimin, pasi në disa ditë nuk i është sjell drekë, por tani sipas tij nuk iu mungojnë gjërat elementare. Ai ka thënë se ka pasur përkrahje nga komuna në ditët e para.

“Mungesat janë të natyrshme në karantinë, nuk mund të kërkojmë ekstra, gjerat elementare i kemi, sepse karantinë është gjendje e veçantë. Pasi organet kompetente komunale janë ankuar se nuk po kanë ku me e marrë ushqimin, pasi nuk po punojnë restorantet, i kam njoftuar familjaret me ma sjell rregullisht ushqimin. Komuna po e sjell jo rregullisht dhe me vonesa. Ditëve të punës, një shujtë ma e sjell ambulanca”, ka thënë Çoçaj.

Në Kosovë deri më tani janë të infektuar me koronavirus 21 persona. /Gazeta Sinjali/