Gazeta Sinjali raportoi sot për një të paraburgosur i cili ka tentuar që të arratisej nga stacioni i policisë në Graçanicë, ku ishte dërguar, pasi që nuk ka pasur kushte të mbahej në gjykatë.
Sipas babait të tij, ai ka kërcyer nga kati i dytë i stacionit policor, pasi që kishte pasur frikë nga zyrtarët policorë, të cilët i kishin thënë se do të dërgohej në burg për pesë muaj.
I ati i 16-vjeçarit ka thënë për Gazetën Sinjali, se i mituri e ka shfrytëzuar rastin kur ka mbetur vetë dhe pasi që dritarja ka qenë e hapur, ai është hedhur, me qëllim që të “shpëtojë”.
Mirëpo, policët kanë arritur që ta kapin menjëherë dhe sipas tij, katër zyrtarë policorë kanë ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të tij.
Ai thotë se ka qenë në oborrin e stacionit policor dhe i ka dëgjuar klithjet e të birit.
“Është rrahur nga katër policët. Ka ikë se i kanë thënë policia serbe, 5 muaj nuk mund del prej burgut. U tut djali, se i ri, 16 vjeç, edhe pesë muaj nuk i bën 17, u tut që po e kthejnë prapë në qeli. E kanë lanë vetë dhe ia kanë hapë dritaren dhe ka kcy djali. Masi e kanë zanë djalin, krejt llom e kanë bë. Me ndihmë të shpejtë e kanë çu sot në burg, krejt qivita e ka ftyrën e trupin që i kanë sjellë policët serbë”, tha ai për Sinjalin.
Ai thotë se edhe hetuesit e Inspektoratit Policor i kanë kapur policët në flagrancë duke e rrahur në stacion 16-vjeçarin.
“Edhe Inspektorati ka ardhë në vendin e ngjarjes, i kanë zanë tu e rreh djalin. Qat minutë masi ka piskatë djali prej dhune, ata kanë hy brenda”, tha ai.
Ai thotë se për këtë rast nuk ka pa që është arrestuar ndonjëri nga katër policët, për të cilët pretendon se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të tij.
Ai thotë se tre nga policët janë të komunitetit serb dhe një është shqiptar.
Për shkak të lëndime të cilat pretendon se ia kanë shkaktuar zyrtarët policorë, ai thotë se 16-vjeçari ka qëndruar katër orë në Emergjencë dhe gjatë asaj kohe thotë se ai e as familjarët e tjerë nuk janë lejuar që të hynë brenda dhe ta shohin se si e ka gjendjen.
Pasi që e ka marrë tretmanin mjekësor, i mituri është dërguar në Qendrën e Ndalimit në Hajvali.
Babai i tij thotë se kanë dëgjuar se atje po qëndron nën kujdesin e mjekëve, por askush nga familja nuk ka asnjë informacion për gjendjen shëndetësore të tij.
“Po thonë që nën kujdesin mjekëve në burg në Hajvali është. S’po dimë, asnjë lajm nuk po kem qysh me e marrë”, tha ai.
16-vjeçari u arrestua të hënën nga policia për shkak se nuk u ishte bindur urdhrave të zyrtarëve policorë për t’u ndalur, sipas babait të tij, për shkak se nuk ka qenë i pajisur me patentë shofer.
Ai kishte qëndruar 48 orë në mbajtje dhe të mërkurën ishte dërguar në stacion policor në Graçanicë, nga ku kishte tentuar të arratisej.
Momentalisht ai ndodhet në Qendrën e Ndalimit në Hajvali nën kujdesin e mjekëve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/