Avokati i famlijes Tetaj sot ka mbajtur një fjalë në kuadër të gjykimit në rastin e vrasjes së Agonis Tetaj.
Në gjykimin që është bërë sot në Gjykatën Themelore në Pejë, Shaban Gogaj është dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetajt.
Fjala e avokatit të viktimës Berat Tmava:
“Kryetare dhe anëtarë të trupit gjykues, së pari më lejoni që në emër timin dhe në emër të familjes Tetaj të ju falenderojmë dhe të ju përgëzojmë që në këtë çështje juridiko-penale jashtëzakonisht të rëndë dhe të ndjeshme, gjatë gjithë procedurës keni treguar maturi dhe profesionalizëm, si dhe keni dhënë shembull se si duhet të udhëheqet një gjykim i drejtë dhe i paanshëm.
Besoj se i kemi shoshitur në mënyrë të gjithanshme këtë çështje penale, sipas aktakuzës së Prokurorisë, me administrimin e provave të propozuara nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, mbrojtësit të të pandehurit dhe trupit gjykues, sipas detyrës zyrtare. Sot jo vetëm Peja, por e tërë Kosova i ka sytë kah Gjykata Themelore në Pejë.
Kryetare dhe anëtarë të trupit gjykues, sot gjithçka është në dorën tuaj, e keni mundësinë që pas shqyrtimit të të gjitha provave të qarta, duke përfshirë provën kryesore, videoincizimin, i cili pasqyron gjithçka, edhe nëse nuk do ta kishin thënë asnjë fjalë të vetme në këtë proces gjyqësor. Ju mund të jeni shembull dhe në këtë çështje penale të vendosni vetëm në bazë të provave që gjenden në dosje të lëndës, e të administruara në shqyrtimin gjyqësor dhe mbarë popullit të Kosovës t’i dëshmoni se sistemit të drejtësisë duhet t’i besojmë fuqishëm. Të nderuar, tani keni rastin që t’i tregoni tërë njerëzimit se askush nuk ka mundësi të ndikojë në sistemin e drejtësisë, pa marrë parasysh fuqinë financiare apo politike të tij. Njëherë e përgjithmonë duhet të vetëdijësohemi ne si popullatë se në asnjë mënyrë nuk do të ketë mundësi të ndikojë as ndonjë kryetar i komunës, as president e as polic në këtë proces gjyqësor.
Nuk ka asnjë të drejtë, e as që duhet të ketë në botën demokratike që të ndërhyjë në procese gjyqësore. Me një vendim të drejtë dhe të pandikuar do t’ia ktheni shpresat dhe dinjitetin me qindra mijëra punëtorëve në sistemin privat që veprojnë në Kosovë, e fatkeqësisht jemi dëshmitarë që ka shkelje në të drejtat themelore të tyre, në mënyrë sa më të rëndë të mundshme”, ka thënë ai.
Këtu keni audion: