Komuniteti LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) ka “shqetësime shumë reale” në Itali, pasi blloku konservator, i dominuar nga e djathta ekstreme, ka fituar zgjedhjet e përgjithshme në këtë shtet, ka thënë Fabrizio Marrazzo, nga një organizatë që mbron të drejtat e pjesëtarëve të këtij komuniteti.
Grupi nacionalist, Vëllezërit e Italisë, i udhëhequr nga Giorgia Meloni, është renditur i pari në zgjedhje dhe do të udhëheqë qeverinë më djathtiste në Romë prej Luftës së Dytë Botërore, përcjell Sinjali.
“Fatkeqësisht ekzistojnë shqetësime reale”, për gërryeje të të drejtave civile nën administratën e re, ka thënë Marrazzo.
Meloni është aleate e Ligës, partisë tjetër të së djathtës ekstreme, të udhëhequr nga Matteo Salvini, dhe partisë Forza Italia, të ish-kryeministrit, Silvio Berlusconi.
“Liga dhe Vëllezërit e Italisë kanë në prezantimet e tyre gjëra që janë goxha negative për komunitetin tonë, sikurse vënie e theksit te mbrojtja e familjes tradicionale”, ka thënë Marrazzo për agjencinë e lajmeve, Reuters.
Meloni, 45-vjeçare, është rritur nga një nënë e vetme dhe është e pamartuar.
Ajo e konsideron veten mbrojtëse të të drejtave të krishterëve dhe armike të asaj që e quan “ideologji gjinore” dhe “lob për LGBT-në”.
Duke shprehur kundërshtimet e saj që personat e gjinisë së njëjtë të rrisin fëmijë, ajo ka thënë se “fëmijët e pafat” që duhet të adoptohen, “meritojnë më të mirën” – duke nënkuptuar një nënë dhe një baba.
Meloni ka mohuar se qasja e saj konservatore do të rrezikojë legjislacionin ekzistues për të drejtat e abortit apo partneritetit mes personave të gjinisë së njëjtë në Itali.