Muslimanët edhe në Kosovë po kremtojnë festën e Fitër Bajramit, festë kjo që vjen pas agjërimit të muajit të Ramazanit. Për shkak të pandemisë të krijuar nga Covid-19, edhe këtë vit, është hequr dorë nga ceremonia e manifestimit tradicional të kësaj feste.
Në xhamitë e Kosovës nuk kishte ceremoni të zakonshme, por u fal vetëm Namazi i Bajramit.
Në këtë ditë u dhanë mesazhe për tolerancë e solidaritet, por edhe kujdes ndaj pandemia Covid-19.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava tha se po shënojnë festën e Fitër Bajramit, e cila ngërthen në vete përkushtimin ndaj krijuesit të gjithësisë të cilin besimtarët me bindje e përkushtim e dëshmuan gjatë tërë muajit të ramazanit.
“Festa e Fitër Bajramit kultivon në formën më të mirë ndjesinë e mirëkuptimit, tolerancës, harmonisë, respektit e bujarisë, vlera këto që fisnikërojnë individin dhe shoqërinë. Kjo festë madhore paraqet një ndër momentet që të shërbejnë për të njohur veten, për të mësuar drejt misionin tonë, e për ta ruajtur ekuilibrin në mes shpirtërores, përballë materiales”, tha ai.
Tërnava apeloi te të gjithë që ta ruajnë shëndetin e tyre dhe të të tjerëve, pasi pandemia ende është në mesin tonë.
“Edhe këtë ramazan sikur ramazani i vitit të shkuar, e rrjedhimisht edhe këtë Bajram, po e presim të përballur me pandeminë Covid-19, e cila ka shkaktuar pasoja të mëdha në të gjitha rrafshët. Në këtë ditë feste kujtojmë me rahmet të gjitha ata që kaluan më herët, duke lutur, duke lutur krijuesin që t’i mban në mëshirën e tij, ndërsa të infektuarit të gjejnë shërim sa më parë. Ne sot kemi festë dhe bashkërisht kemi për të shijuar festën e Fitër Bajramit, por duhet të kemi kujdes dhe të jemi të vëmendshëm se virusi ende është në mesin tonë, andaj apeloj te ju që ta ruani shëndetin tuaj dhe ta ruani njëri-tjetrin. Ju ftoj që të bëni kujdes edhe në vizita tradicionale të Bajramit. me të afërmit”, tha ai.
Ai shtoi se do ta ruajnë karakterin e festës, do të jenë pa njëri-tjetrin, por do të kenë kujdes sepse rreziku nga pandemia ende nuk ka kaluar.
Bashkësia Islame e Kosovës për shkak të pandemisë nuk ka organizuar as pritje në këtë institucion./Gazeta Sinjali/