image Finlanda anëtarësohet në NATO, dyfishohet kufiri i aleancës ushtarake me Rusinë

Evropë

Finlanda anëtarësohet në NATO, dyfishohet kufiri i aleancës ushtarake me Rusinë

news image

Finlanda është bërë anëtarja më e re, e 31-ta, e NATO-s, pas mbajtjes së ceremonisë së pranimit të martën, 4 prill, në Bruksel.

Para se të formalizohej anëtarësimi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, kryen procedurat e shkëmbimit të ftesës dhe pranimit të ftesës në një konferencë për media.

Finlandës iu dorëzua ftesa për anëtarësim në NATO, pasi Blinken tha se Turqia ia kishte dorëzuar dokumentet e ratifikimit të kërkesës së Finlandës për anëtarësim.

Aplikimi për anëtarësimin e Finlandës në aleancën ushtarake është nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur më 24 shkurt 2022.

Finlanda ndan një kufi të gjatë, prej mbi 1.000 kilometrash, me Rusinë.

Suedia, po ashtu, ka aplikuar për anëtarësim në NATO, në të njëjtën kohë me Finlandën, mirëpo Turqia është duke e bllokuar me arsyetimin se është duke mbështetur “terroristët”.

Si akt të parë pas anëtarësimit, presidenti finlandez ia dorëzoi sekretarit amerikan të Shtetit ratifikimin e kërkesës së Suedisës për anëtarësim në NATO. Çdo zgjerim i NATO-s duhet të bëhet me mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare – pra ratifikimin e aplikimit për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera.

Ndërkohë, përgjatë të martës, në Helsinki, flamujt e NATO-s janë ngritur së bashku me flamurin kombëtar finlandez para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, një ndërtesë që fillimisht u ndërtua për ushtrinë e Perandorisë ruse në shekullin XIX.

Finlanda, Suedia dhe Turqia në qershorin e vitit të kaluar arritën një marrëveshje trepalëshe, por Ankaraja pezulloi negociatat me Suedinë pas një proteste të mbajtur në janar në Stokholm, ku para ndërtesës së Ambasadës turke u dogj një Kuran.

Më saktë, Ankaraja dëshironte që Helsinki dhe Stokholmi të mbajnë qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë, si dhe ndaj një grupi tjetër të cilin e fajëson për përpjekjen e vitit 2016 për grusht shteti.

Por, më 9 mars, dy shtetet rinisën bisedimet në Bruksel.

Erdogan tha se anëtarësimi i Suedisë në aleancën ushtarake perëndimore do të varet drejtpërdrejt në masat që ndërmerr sa i përket kërkesave turke lidhur me terrorizmin.

Ankaraja ka refuzuar që të ratifikojë aplikimimin e Stokholmit në NATO, edhe për shkak të refuzimit të Suedisë që të ekstradojë dhjetëra të dyshuar, që Turqia pretendon se janë të lidhur me luftëtarët kurdë dhe me puçin e dështuar të vitit 2016.

/GazetaSinjali/