Më 12 Tetor, kombëtarja kuqezi do të ketë një ndër përballjet më të fortë të grupit në këtë fazë kualifikuesesh për Euro2024. Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, ka zhvilluar këtë të shtunë një konferencë për shtyp ku i është përgjigjur interesit të medias.
Trajneri u shpreh se ka besim tek lista që ka grumbulluar për këtë ndeshje.
“Në listë kemi 25 lojtarë. Besoj se janë të mjaftueshëm për ta përballuar. Me këtë listë që kemi bërë jemi gati dhe nuk kemi probleme”, tha ai.
Po ashtu thotë se është herët për të bërë llogari teksa vlerëson maksimalisht Çekinë.
“Llogaritë tona duhet t’i bëjmë në nëntor dhe jo në tetor. Është një grup shumë i fortë dhe ka shumë ekuilibër. Nuk jemi në gjendje për të bërë llogari tani pasi kemi para një sfidë të rëndësishme dhe të vështirë”, tha Sylvinho.
Trajneri u shpreh shumë i kënaqur nga përshtypja që ka marrë nga takimet që ka zhvilluar personalisht me futbollistët.
“Të gjithë e kanë të qartë që kemi ardhur deri në këtë pikë duke vënë shpirtin në fushën e lojës, duke djersitur shumë, duke dhënë zemrën në fushë”, tha ai.
Ndeshja Shqipëri-Çeki do të luhet më 12 Tetor në orën 20:45, teksa po cilësohet si një finale për të dyja kombëtaret.