Në Dhomat e Specializuara në Hagë po dëgjohet dëshmitari i shtatë në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), Salih Mustafa. Dëshmitari femër po dëgjohet nën masa mbrojtëse të sigurisë dhe një pjesë e dëshmisë së saj pritet të vijoj në seancë të mbyllur.
Seanca gjyqësore ndaj Mustafës ka filluar sot me rreth tre orë vonesë për shkak të problemeve teknike në gjykate.
Pjesa e parë e seancës po vijon e mbyllur meqë prokuroria ka deklaruar se pyetjet e para lidhen me të dhënat personale të dëshmitares.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka thënë se një pjesë e madhe e dëshmisë së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) pritet të dëgjohet në seancë të mbyllur.
Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte, raporton KP.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm./GazetaSinjali/