image Fillon riatdhesimi i fëmijëve shqiptarë nga Siria

Shqipëri

Fillon riatdhesimi i fëmijëve shqiptarë nga Siria

news image

Organizata siriane “Gjysmë Hëna e Kuqe” ka njoftuar se ka filluar riatdhesimi i fëmijëve shqiptarë, shkruan Gazeta Sinjali.

Nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjete sociale, tregohen disa momente gjatë evakuimit të fëmijëve shqiptarë nga kampi sirianë Al-Hol.

“Sot jemi të lumtur të menaxhojmë dhe evakuojmë kthimin e katër fëmijëve shqiptarë dhe një gruaje me aftësi të kufizuar në vendlindjen e tyre, në Shqipëri. Po ashtu, kemi qenë në kontakt edhe me kryetarin e Kryqit të Kuq, Francesco Rocca dhe sekretarja e tij që kanë përcjellë evakuimin çdo moment”, thuhet në videon e postuar.

Po ashtu, bëhet e ditur që pasi kreu teste të gjera mjekësore para se të largohej nga kampi, organizata shoqëroi shtetasit shqiptarë gjatë rrugës nga kampi për në Damask, nën ndjekjen dhe mbikëqyrjen e Inxhinierit Khaled Habbati, shefi i organizatës.

Fëmijët u pritën nga konsulli i përgjithshëm shqiptar, Mark Gharbel dhe delegacioni i tij që po ashtu do të bëjnë përcjelljen e fëmijëve deri në Shqipëri.

Konsulli i përgjithshëm shqiptar në Beirut ka falënderuar organizatën “Gjysmë Hëna e Kuqe” në Siri, si dhe Qeverinë e Sirisë për ndihmën e vazhdueshme të treguar në këtë mision.

“Faleminderit edhe qeverisë siriane për përpjekjet që kanë bërë për përkrahjen e z. Hboubati për mbikëqyrjen e këtij misioni, i cili ka qenë në dispozicion në çdo minutë kur ne gjendeshim në kampin në zonën Veri-Lindore. Vonë natën, derisa ishim duke fjetur ai na zgjoi duke na pyetur për të rejat rreth këtij procesi dhe për të qenë i gatshëm të sigurojë çdo mbështetje të mundshme për transportimin e këtyre njerëzve nga kampi për në aeroport,”, deklaroi Gharbel./Gazeta Sinjali/