Të mërkurën në Gjykatën e Cyrihut ka filluar procesi gjyqësor ndaj një 49-vjeçari kosovar dhe ish-bashkëshortes së tij, zviceranes 48-vjeçare.
Ata po akuzohen se i kanë keqtrajtuar pesë fëmijët e tyre, duke i rrahur, mbyllur, madje edhe duke i keqtrajtuar seksualisht fëmijët, raporton “Blick”.
Dy nga viktimat, një vajzë dhe një djalë, ishin 7 vjeç, transmeton Gazeta Sinjali.
Sipas akuzës thuhet se në vitin 2006 prindërit kishin filluar t’i mbyllnin fëmijët. Së pari në dhoma të gjumit, e më pas në bodrum. Fëmijët gjatë ditës shkonin në shkollë, por natën dhe në fundjavë, sipas aktakuzës ata mbylleshin nga prindërit për një kohë të gjatë, sa që duhej të urinonin dhe jashtëqitnin në dysheme.
Sipas akuzës, tri vite para se të fillonte mbyllja, prindërit kishin ndaluar t’i ushqenin rregullisht fëmijët.
Dy të vegjlit kishin filluar të vjedhin rregullisht ushqim në shkollë. Në vitin 2008, mjekja e shkollës kishte konstatuar se djali nëntë vjeçar ishte vetëm 18 kilogramë dhe kishte shenja të anoreksisë. Vajza kishte shenja të ngjashme. Dy fëmijët u diagnostikuan me pengesa në zhvillim, por megjithatë vazhduan torturat gjatë viteve.
Në vitin 2008, siç thotë aktakuza, nëna ia kishte shtyrë kokën në të vjellat e saj, duke e detyruar ta hante. Po ashtu edhe djali ishte i detyruar ta hante jashtëqitjen e vet.
Fëmijët po ashtu ishin rrahur brutalisht, me shqelma, shuplaka, grushte, rrip apo me thes të mbushur. Ata janë detyruar të qëndronin me pelena të mbushura me urinë për tetë orë e gjysmë.
Në shkollë mjekët kanë dokumentuar shenjat dhe në vitin 2010 dy fëmijët janë shpëtuar. Dy fëmijët e tjerë janë detyruar të qëndronin me prindërit, duke u maltretuar edhe më tutje.
Sipas akuzës thuhet se një vajzë tjetër është keqpërdorur seksualisht nga babai i cili është më origjinë nga Kosova, që nga mosha 7-vjeçare. Po ashtu thuhet se ai e ka keqtrajtuar seksualisht edhe vajzën që bashkëshortja e tij e kishte nga një lidhje tjetër.
Raportohet se kosovari kishte dashur të mbyste bashkëshorten në janar të vitit 2010. Ai e kishte kapur atë për fyti dhe nuk e kishte lëshuar derisa ajo kishte humbur ndjenjat. Në vitin 2018 fillimisht ishte arrestuar kosovari, e nëntë muaj më vonë ish-bashkëshortja e tij./Gazeta Sinjali/