Me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, viti i ri shkollor 2021/22 do të fillojë të hënën. Për shkak se me masat e reja anti-COVID është paraparë që numri maksimal i nxënësve në klasa të jetë 20, shkollat janë udhëzuar që të përgatisin orare të veçanta për secilën klasë, shkruan Gazeta Sinjali.
Mirëpo, disa prindër po ankohen se orari i hartuar për këtë vit shkollor është shumë i papërshtatshëm për fëmijët e tyre.
Në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Mihal Grameno” dhe në shkollën “Haki Bajrami” në Fushë – Kosovë, fëmijët e klasave të treta (8-vjeçarë), të katërta (9-vjeçarë) dhe ata të klasave të pesta (10-vjeçarë), do të fillojnë mësimin në orën 17:40, për ta përfunduar në orën 19:05.
Disa prindër kanë shkruar në adresë të Gazetës Sinjali dhe janë ankuar se është shumë vonë që fëmijët e këtyre moshave të kthehen nga shkolla në orën 19:05.
“Është shumë vonë për fëmijët 8-9-vjeçarë ky orar”, tha njëri nga prindërit.
Mirëpo, nga Komuna e Fushë-Kosovës i kanë thënë Sinjalit se prindërit duhet të mirëkuptojnë se ndarja e orarit në këtë mënyrë është bërë pa kurrfarë tendence dhe me qëllim të normalizimit të procesit mësimor.
“Tani duhet me kuptu edhe ju, po edhe prindërit duhet me kuptu që gjithçka që bëhet, bëhet në koordinim me Drejtorinë komunale të Arsimit dhe me Drejtorinë e Shkollës dhe kjo është bë në suaza të një normalizimi të procesit mësimor dhe nuk është bërë me kurrfarë tendence. Duhet me qenë edhe prindërit mirëkuptues për hapin që e kemi marrë”, tha për Sinjalin zëdhënësi i kësaj komune, Ali Topalli.
Topalli nuk dha ndonjë shpresë se ky orar mund të ndryshojë, pavarësisht ankesave të prindërve, pasi që, siç tha ai, kjo ndarje e orarit është parë si forma më e mirë e funksionimit të mësimit.
“Tani, patjetër që dikujt i takon që të shkojë në atë kohë që të mbajë mësim, kështu që drejtoria e shkollës dhe Drejtoria e Arsimit e kanë parë këtë si formën më të mirë se si me funksionu”, tha ai./Gazeta Sinjali/