image FIFA shkruan për vizitën e presidentit Ademi në zyrën e re në Paris

Futboll

FIFA shkruan për vizitën e presidentit Ademi në zyrën e re në Paris

news image

FIFA i ka kushtuar vëmendje të veçantë vizitës së djeshme të presidentit Agim Ademi dhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka në zyren e re të FIFA-s në Paris.

Krerët e futbollit të Kosovës dhe Shqipërisë janë mirëpritur nga i pari i FIFA-s, Gianni Infantino.

“Jo për herë të parë, Parisi ishte kryeqyteti i futbollit të planetit, ku të shtunën delegacione të shumta të shoqatave anëtare nga e gjithë bota u mblodhën në zyrën e FIFA-s në ‘Place de la Concorde’, ku u mirëpritën nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Ashtu si ditët e mëparshme, diskutimet u fokusuan në programet e ndryshme të zhvillimit të FIFA-s, mes tyre FIFA Forward dhe Football for Schools, dhe për organizimin e turneve nga vendet pritëse. Federatat bashkëpunojnë ngushtë me organin drejtues të futbollit botëror në përgatitjen e garave paraprakisht, duke u siguruar që ato të organizohen sa më mirë që të jetë e mundur dhe të përfitojnë sa më shumë nga trashëgimia”, shkruan FIFA.com.

Tutje është paraqitur edhe deklarata e presidentit Agim Ademi, rreth marrëdhënieve me FIFA-n. “Rezultatet flasin vetë. Asnjë nga projektet që kemi paraqitur në FIFA nuk është refuzuar. Janë miratuar të gjitha. Ne jemi duke u zhvilluar falë ndihmës dhe mbështetjes së FIFA-s”, ka thënë kreu i FFK-së për FIFA.com.

Po ashtu, është cituar edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka. “FIFA ka dhënë gjithmonë mbështetjen e saj proaktive për rritjen e futbollit në Shqipëri, një vend i vogël dhe relativisht i pazhvilluar. Kjo mbështetje është rritur kohët e fundit. Në tri vitet e fundit ne kemi ndërtuar një akademi dhe një zyrë të re qendrore për shoqatën kombëtare, dhe kjo është bërë e mundur vetëm nga projekti FIFA Forward”, ka thënë Duka.

Sipas faqes zyrtare të FIFA-s, gjatë javës së kaluar, rreth 20 drejtues të federatave kombëtare e kanë vizituar zyrën e re të FIFA-s në Paris dhe janë takuar me presidentin Infantino. “E krijuar për shoqatat anëtare, zyra është një mjedis i përsosur për takime dhe shkëmbim pikëpamjesh dhe ka një të ardhme të ndritur përpara”, ka shkruar tutje FIFA.com.

/GazetaSinjaliSport/