image FFK me telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Skënder Selmanit

Futboll

FFK me telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Skënder Selmanit

news image

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Skënder Selmani, njërit prej kontribuesve më të mëdhenj të futbollit në vend.

Selmani, i cili ishte anëtar i FFK-së në vitet e 90-ta, vdiq sot (e diele) në moshën 63-vjeçare.

Selmani ishte kontributdhënës i madh i futbollit kosovar edhe në periudhat shumë të vështira të vendit.

Ai ka jetuar në Gjermani në vitet e fundit deri në vdekjen e tij dhe edhe nga larg ka qenë zë kritik ndaj dukurive negative në futbollin e Kosovës.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj dhe njërit prej kontribuuesve të parë të mëvetësimit të futbollit kosovar, Skënder Selmani, andaj më lejoni që në emrin tim, të KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, ka thënë presidenti i FFK-së Agim Ademi në një mesazh ngushëllues në uebsajtin e federatës.

“Skënderi gjatë tërë jetës së tij ishte afër futbollit, teksa në vitet e 90-ta së bashku me shumë veprimtarë e dha kontributin e tij të çmuar për mëvetësimin e futbollit të Kosovës. Skënderi ishte punëtor i madh sportiv dhe entuziast për të dhënë kontributin e tij për zhvillimin e futbollit. Ai do të kujtohet gjithmonë nga komuniteti i futbollit për kontributin e tij në mëvetësimin e futbollit dhe organizimin e garave në vitet e vështira të okupimit”, shtoi ai.

Selmani, ish-anëtar i kryesisë së Federatës së Futbollit të Kosovës në vitet 1991-95, nënkryetar i gjyqtarëve të Kosovës, kryetar i Këshillit të garave të Republikës së Kosovës dhe kryetar i këshillit organizativ të ndeshjes Kosovë-Shqipëri (me 14 shkurt – 1993), Kosovë-Shkëndijë në kohën e viteve të 90-ta, ka dhënë kontribut të madh në kohëra më të rënda.  /Gazeta Sinjali Sporti/