Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se dje Këshilli Drejtues ka shqyrtuar gjendjen aktuale në shëndetësi gjatë kësaj periudhe ku i kanë kërkuar qeverisë që të bëj pagesën prej 300 eurove për muajt korrik dhe gusht. Gjithashtu, është kërkuar të kryhen pagesat për muajin shtator e tetor siç e parasheh ligji për parandalimin e pandemisë COVID-19.
Në të kundërtën ata kanë paralajmëruar se do të hyjnë në grevë të përgjithshme.
Komunikata e plotë:
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës njofton opinionin e gjerë se dje me datë 08.10.2020 Këshilli Drejtues i saj ka shqyrtuar gjendjen aktuale në shëndetësi gjatë muajve të pandemisë COVID-19, punën e punëtorëve shëndetësor si dhe shtesës në pagë prej 300.00 euro të ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Anëtarët e Këshillit Drejtues njëzëri ftojnë Qeverinë e Republikës së Kosovës që:
Të kryejnë pagesën e stimulimit shtesë për muajin korrik dhe gusht 2020 për të gjithë ata të cilët kanë mbetur pa e përfituar këtë stimulimi si dhe
Të kryejnë pagesën e shtesave në pagë bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalim dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës për muajt shtator dhe tetor me pagën e muajit tetor 2020.
Në rast të mos realizimit të këtyre kërkesave të lartëpërmendura Këshilli Drejtues do të merr vendim për Grevë të Përgjithshme në të gjitha institucionet shëndetësore.
Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës gjithashtu i bën thirrje të gjitha partive politike që ti lënë më një anë agjendat e tyre dhe të bëhen bashkë e ta miratojnë Pakon Emergjente për Rimëkëmbje Ekonomike./Gazeta Sinjali/