Federata Algjeriane e Futbollit ka paraqitur një ankesë zyrtare në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA) lidhur me arbitrimin e ndeshjes së raundit të parë të Kupës së Botës ndaj Argjentinës.
Argjentina ka shënuar fitore bindëse me rezultat 3-0, me tre gola nga Lionel Messi, ndërsa algjerianët kanë ngritur ankesë ndaj gjyqtarit Szymon Marciniak, duke pretenduar se vendimet e tij kanë dëmtuar rëndë ekipin e tyre kombëtar në dy situata.
Në minutën e 31-të, Marciniak nuk e ndëshkoi Lionel Messin për një ndërhyrje ndaj Aissa Mandit, të cilin algjerianët e konsiderojnë si ndërhyrje të ashpër dhe të denjë për karton të kuq. Sipas tyre, VAR-i gjithashtu nuk reagoi për këtë rast.
Incidenti i dytë, sipas Federatës Algjeriane, ka ndodhur në minutën e 74-të, kur Alexis Mac Allister ka goditur me bërryl në kokë mesfushorin algjerian Ibrahim Maza, pa u ndëshkuar me karton të kuq.
Në letrën drejtuar FIFA-s, Federata Algjeriane kërkon sqarime se pse VAR-i nuk ka ndërhyrë në këto situata.
Sipas rregullave, të gjitha veprimet që mund të çojnë në karton të kuq direkt duhet të rishikohen nga VAR-i, gjë që, sipas algjerianëve, nuk ka ndodhur në këtë rast.
Algjeria vlerëson se këto dy vendime të kontestuara mund të kishin ndikuar në rrjedhën e ndeshjes dhe tashmë është në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga FIFA.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!