image Fati i Qeverisë Hoti varet nga Komisioni i Venecias, flasin nga Gjykata Kushtetuese

Kosovë

Fati i Qeverisë Hoti varet nga Komisioni i Venecias, flasin nga Gjykata Kushtetuese

news image

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë një vendim për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me rastin e votimit të Qeverisë Hoti nga deputeti Etem Arifi. Megjithatë Kushtetuesja ka vendosur të mbajë seancë dëgjimore publike e cila është caktuar të zhvillohet më 2 dhjetor, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një përgjigje për Sinjalin, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka marrë vendim që për këtë çështje t’i drejtohet edhe Forumit të Komisionit të Venecias.

“Duke pas parasysh çështjet e ngritura në kërkesë, Gjykata po ashtu ka marrë vendim që t’i drejtohet edhe Forumit të Komisionit të Venecias, përkitazi me praktikat dhe rregullat e aplikueshme në situata të ngjashme, në shtetet anëtare të Komisionit.”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për Gazetën Sinjali.

Për seancën dëgjimore publike nga Kushtetusja thanë se do të zhvillohet përmes video-konferencës.

“Gjykata ka marrë vendim që të mbajë seancë dëgjimore publike përkitazi me këtë rast më 2 dhjetor 2020 dhe për këtë do të njoftohen së shpejti të gjitha palët e interesit të përfshira në këtë lëndë.  Për shkak të rrethanave aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore do të organizohet nëpërmjet video-konferencës, në përputhje me rekomandimet dhe udhëzimet në fuqi të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.”, thuhet në këtë pëgjigje.

Lëvizja Vetëvendosje më 11 qershor pati dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për “antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit” të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e qeverisë të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti.

/GazetaSinjali/