image Familjari i gruas së Kadri Veselit bëhet udhëheqës në Administratën Tatimore të Kosovës

Kosovë

Avancimet/ Familjari i gruas së Kadri Veselit bëhet udhëheqës në Administratën Tatimore të Kosovës

news image

Ahmet Ademi është njeri prej të punësuarve që së fundi është ngritur në detyrën e shefit në Administratën Tatimore të Kosovës, në kuadër të rehatimit të stafit në hierarkinë e lartë të këtij institucioni.

Ai është avancuar në pozitën e Udhëheqësit të Ekipit të Kontrollit në ATK, në kuadër të rokadave dhe ripozicionimit të stafit, në këtë periudhë të tranzicionit të pushteteve para formimit të Qeverisë së re.

Gazeta Sinjali merr vesh se Ademi është familjar i Violeta Veselit, gruas së kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Një sinjalizues i Gazetës Sinjali ka bërë të ditur se ngritja në detyrë e Ahmet Ademit dyshohet se është bërë për shkak të ndikimeve familjare dhe politike të kreut të PDK-së, Kadri Veselit.

I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, Ademi ka konfirmuar se është në lidhje familjare me bashkëshorten e kreut të PDK-së.

“Po, është familjare e imja normal. Është vajza e dajës”, ka thënë Ademi për Gazetën Sinjali por, ai ka mohuar ndikimin familjar dhe politik në avancimin e tij.

 “Kjo nuk ka të bëjë me realitet absolutisht, kurrgjë hiç. Unë qe dhjetë vjet jam në ATK. Dy herë jam shpallë si inspektor i dalluar. Puna jem dhe përvoja jem ka bërë që të jem kandidat si çdo tjetër dhe kam arritur deri këtu ku kam arritë.”, ka theksuar ai.

Gazeta Sinjali më herët kishte raportuar edhe për një rast tjetër sesi shoqja e ngushtë e bashkëshortes së Kadri Veselit, Violetës ishte bërë menaxhere e marketingut në Postën e Kosovës, pa konkurs dhe pa respektim kriteresh përkundër se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli i kishte “shpallur” luftë korrupsionit e nepotizmit.

Konkurset në kohë tranzicioni pushtetesh

Ahmet Ademi është në mesin e 19-të personave që së fundit janë rehatuar në hierarkinë e lartë të Administratës  Tatimore të Kosovës të udhëhequr nga drejtori Ilir Murtezaj.

Gazeta Sinjali ka siguruar këtë listë të të avancuarve në nivel drejtorësh e udhëheqësish me miratimin e drejtorit të përgjithshëm, Ilir Murtezaj.

Kjo listë ishte bërë e ditur nga Jakup Shaqiri, zyrtar i lartë i Personelit në ATK, përmes një emaili të dërguar më 11 tetor të këtij viti, ku ai i njofton formalisht drejtuesit e lartë të këtij institucioni.

“Pas përfundimit të procedurave të rekrutimit , rekomandimeve të kandidatëve  nga komisionet gjegjëse  dhe të konfirmuara nga Drejtori i Përgjithshëm shpallen kandidatët fitues  për pozitat si vijon:” thekson në njoftimin e tij, Jakup Shaqiri.

ATK si institucion vital i shtetit, po e shfrytëzon vakumin institucional për të bërë avancime të personelit në pozita udhëheqëse, ashtu sikurse ministritë dhe institucionet e tjera që financohen nga buxheti i shtetit. Këto rokada në këtë kohë tranzicioni ngrisin dyshimet për parregullsi në avancimin e stafit bazuar në bazuar në preferenca e ndikime politike.

Administrata Tatimore e Kosovës ndonëse ka status të institucionit të pavarur të Republikës së Kosovës, në vazhdimësi është kritikuar nga shoqëria civile se ka qenë e ndikuar politikisht përmes punësimeve dhe avancimeve partiake. /Gazeta Sinjali/