image Familjarët shpresojnë që qeveria e re t'i bëj temë të pagjeturit karshi Serbisë

Kosovë

Dialogu/ Familjarët shpresojnë që qeveria e re t’i bëj temë të pagjeturit karshi Serbisë

news image

Çështja e të pagjeturve tash e 20 vite mbetet barrë e madhe e pazgjidhur për institucionet e Kosovës. Familjarët nga qeveria e ardhshme e Kosovës kërkojnë që për fatin e të zhdukurve të diskutohet në Bruksel. Madje ata presin që të jenë edhe pjesë e ekipit negociator për dialogun me Serbinë. Vetëvendosje nuk e përjashton mundësinë, por që fillimisht do të rishikohen marrëveshjet e deritanishme të nënshkruara me palën serbe.

Lutfie Ademi Vokshi nga qyteti i Mitrovicës ka 20 vite që pret lajm për vëllain e saj, Adem Ademin, i cili është zhdukur më 19 prill të vitit 1999, kur së bashku me një grup prej 23 personash, nëpër mal kishin provuar të dalin nga Kosova në drejtim të Malit të Zi.

Kjo thotë se ka prova që vërtetojnë se ushtria serbe di për vendndodhjen e vëllait të saj. 

“Që 20 vite në kërkim e sipër edhe nuk ka akoma asgjë. Është rëndë shumë për familjarët, e sidomos për ne, për mua dhe familjen time…Dyshimet janë se ai është zhdukur në palët e Drenit në Zubtin Potok, është vet i 23-ti. Kam një dokument, është i vulosur nga Beogradi që atë grup e ka marrë ushtria e Beogradit. Serbia mundet me dhënë përgjegjësi për këtë grup dhe me u përgjigjë se ku janë, a janë në mal apo i ka dërguar diku tjetër. Si zakonisht Serbia që i ka marrë kufomat dhe i ka dërgu, tash dyshimi është se ose janë në Drene, në mal ku i kanë zënë ose nëse nuk janë aty, atëherë Serbia duhet të tregoj”, tha ajo.

Derisa flet për vëllain e saj me shumë emocione e dhimbje, motra Lutfia thotë se si familjarë aspak nuk janë të kënaqur me punën institucionale, prandaj, ajo kërkon që çështja e të pagjeturve të shtrohet në Bruksel.

Ajo kërkon që në grupin negociator me palën serbe të ketë edhe familjarë të të zhdukurve.

“Shumë pak jam e kënaqur derisa nuk gjendet edhe kufoma e fundit ne familjarët nuk jemi të kënaqur asnjëherë, derisa unë nuk e gjej vëllain tim edhe nuk ia di një varr me dërguar një lule, atëherë nuk e di si të jetë i kënaqur njeriu. Unë kisha kërkuar nga institucionet e Kosovës që qeveria e re tash që vjen, të bëjë kusht që të bisedohet në bisedime me Serbinë edhe për të zhdukurit, që të na i kthejnë, t’i dimë ku i kemi….Kisha kërkuar edhe dikush nga përfaqësuesit tanë të marrë pjesë pa marrë parasysh kush është por le të jetë ai që e ka zemrën e thyer që din dhe i dhemb shpirti dhe dinë të kërkoj sepse puna e të pagjeturve të mos jetë politikë, por le të dihet që ne nuk i kemi”, tha kjo motër e cila çdo ditë pret të di për fatin e vëllait të saj.

Përfaqësim dhe diskutim për të pagjeturit në Bruksel kërkon edhe Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, i cili pret që qeveria e re t’ia kthej seriozitetin çështjes së të pagjeturve.

Sipas tij, sikurse politika kosovare të kishte bërë presion më të madh dhe të ishte më serioze fati i të pagjeturve tashmë do ishte zbardhur ose i ishte vendosur si kusht palës serbe.

Çerkini pret nga qeveria e ardhshme që çështja e të zhdukurve të diskutohet në Bruksel, e po ashtu familjarët të jenë pjesë e këtij dialogu.

“Besoj që do të na përkrahin dhe do e dërgojnë në nivelin më të lartë, të duhur çështjen e të pagjeturve duke e përmendur siç përmendet edhe Brukselit. Ne gjithmonë kemi thënë se është keq me shku me bë një dialog pa marrë parasysh këtu pa një apo dy familjarë, është shumë keq grupi i dialogut mos me marrë një familjar i cili 20 vite nuk dinë për më të dashurin e tij dhe t’i thotë gjërat që i ka tubuar si produkt, si informatë, apo dëshmi të sakta për ata të cilët me të vërtet dinë…Neve po na shkelen të drejtat e njeriut ditë për ditë, ku është shkaku, shkaku është se institucionet vendore dhe ndërkombëtare nuk punojnë sa duhet, çka duhet me punu vendorët, duhet me bë presion tek ata që dinë. Kush janë ata që dinë, ata që na kanë çliruar, ata i dinë të gjitha”, tha Çerkini. 

Edhe koordinatori i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara thotë se çështja e personave të zhdukur duhet të shihet me prioritet nga qeveria e ardhshme e Kosovës.

Derisa kërkon që çështja e të pagjeturit të kalojë në dialogun politik, Gara konsideron se vetëm presioni ndërkombëtar mund ta bind shtetit serb për hapjen e arkivave.

“Në raport me Brukselin ndoshta më shumë se të jetë temë që do të trajtohet në dialogun në Bruksel, është temë në kuptimin që çështja e personave të zhdukur të jetë pjesë e agjendave të bartësve më të lartë të institucioneve të shtetit, meqë Brukseli ose Bashkimi Evropian në përgjithësi por edhe vendet tjera perëndimore janë parë si një mundësi për të shtuar presionin trysnin ndaj palës serbe për të qenë më bashkëpunuese në këtë proces. Pavarësisht nëse çështja mund të trajtohet në kuadër të dialogut në Bruksel si temë e veçantë e rëndësishme është që çështja të trajtohet në dialogun e Brukselit dhe çështja të trajtohet në të gjitha takimet e nivelit të lartë takimeve që bartësit”, tha Gara.

E lidhur me kërkesën e familjarëve të të pagjeturve që të jenë pjesë e dialogut me Serbinë, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi nuk e përjashton këtë mundësi, por thotë që fillimisht do të rishikohen marrëveshjet e deritanishme të nënshkruara me palën serbe.

Bislimi vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje do të fillojë negociatat me të gjithë faktorët relevant vendor që janë të prekura nga bisedimet me shtetin serb.

“Për fazën finale të dialogut ulemi me faktorët relevant vendor që kanë një interes për negociata. Këta munden me qenë familjet e të pagjeturve, mundet me qenë sistemi bankar, sindikata e pensionistëve të cilët u kanë humbur pensionet edhe aty pastaj në bazë të negociatave shihet prej tyre se cili prej tyre duhet me qenë pjesë e ekipit negociator. Do thotë në këtë fazë ne nuk mund të jemi, ti do jesh pjesë e ekipit negociator e ti nuk do jesh. Qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje është së pari që ekipi negociator të jetë reflektim i një konsensusi të brendshëm politik brenda parlamentit, por edhe i konsensusit të brendshëm shoqëror që nënkupton që participantët në shoqëri të cilët janë të afektuar nga dialogu me Serbinë mund të kenë pretendime me qenë pjesë e dialogut”, tha Bislimi.

Edhe 20 vite pas luftës ende nuk duhet fati dhe vendndodhja edhe e 1 mijë e 650 personave të tjerë.