image Familjarët nuk mund t'i vizitojnë ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë

Drejtësi

Familjarët nuk mund t’i vizitojnë ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë

news image

Familjarët e ish-krerëve të UÇK-së që po akuzohen nga Gjykata Speciale, nuk mund t’i vizitojnë këta të fundit, shkruan Gazeta Sinjali.

Gjykata Speciale ka treguar se ish-krerët e UÇK-së që po akuzohen dhe po mbahen në paraburgim në Hagë, nuk mund të vizitohen fizikisht nga askush, por bëhet e ditur që ata mund të kontaktojnë me familjarët e tyre vetëm përmes video-thirrjeve.

“Në përgjithësi, vizitat personale në institucionin e paraburgimit aktualisht nuk janë të mundshme për shkak të masave në lidhje me COVID-19. Në vend të kësaj, për të lehtësuar kontaktin e rregullt me familjen dhe të dashurit, DHSK lehtëson takimet përmes lidhjeve video dhe paguan për një numër të arsyeshëm të thirrjeve telefonike për të arrestuarit”, tha zëdhënësja e Speciales, Angela Griep për Gazetën Express.

Shtatë ish-udhëheqës politik e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po akuzohen për një sërë veprash, nga ato për frikësim të dëshmitarëve që rëndojnë mbi ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës e deri te vrasjet dhe trajtimi mizor i njerëzve, për të cilat akuzohen ish-krerët e UÇK-së si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Salih Mustafa.

Objekti i Paraburgimit i Gjykatës Speciale ndodhet në kompleksin e burgut Haaglanden në Hagë. Ky burg është unik në Holandë dhe i vetmi ku për të paraburgosurit ofrohen 24 orë në ditë shërbime të trajtimit fizik dhe psikiatrik. Haaglanden është i vendosur në Scheveningen dhe mund të strehojë rreth 200 persona.

Sipas rregullave të brendshme të burgut Haaglanden, vizitat për personat që mbahen në këtë objekt, zakonisht janë një orë në javë.

Në këtë paraburgim janë edhe disa qendra të shëndetit, ku për të hyrë dhe dalë nga to duhet të kalohen disa kontrolle që nisin përmes biometrisë me skanimin e gishtit.

Por për trajtimin që po ua bëjnë pjesëtarët e sigurisë së Gjykatës Speciale ishin ankuar në paraqitjet e tyre të para dy ish-krerët e UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Speciale nuk kishte pasur vërejtje për trajtimin ndaj tij. Për dallim nga dy ish-bashkëluftëtarët e tij, Selimi kishte thënë se i kupton rregullat dhe s’ka vërejtje në këtë aspekt.

Kurse David Hooper, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi ishte shprehur i shqetësuar për reputacionin e klientit të tij, ndërsa e kishte cilësuar të turpshëm transferimin e Thaçit me pranga në duar nga objekti i paraburgimit deri në sallën e gjyqit.

“Shpresoj që me kalimin e kohës reputacioni i këtij personi të vihet në vend. Ishte për të ardhur turp që e pashë me pranga”, kishte thënë avokati Hooper./Gazeta Sinjali/