Mediat e huaja kanë publikuar pamje të dhimbshme nga ajo se çfarë ndodhi mëngjesin e djeshëm në një nga plazhet më të populluara të Egjiptit, në Hurghada, ku një shtetas rus u sulmua për vdekje nga një peshkaqen tigër, teksa ishte duke notuar pranë bregut të një resorti luksoz të zonës.
Sipas ‘The Guardian’, disa persona ishin përpjekur t’i shpëtonin jetën, por nuk kanë arritur dot. Agjencia ruse e lajmeve Tass tha se personi i vrarë ishte një rus i lindur në vitin 1999, i cili jetonte në Egjipt me të fejuarën.
Ndërkohë në një video të shpërndarë në rrjetet sociale shihet e fejuara e tij, e cila ka parë të gjithë skenën e tmerrshme, ku peshkaqeni i sulmoi partnerin. Ajo ulëret dhe qan, ndërsa disa të afërm dhe pushues të tjerë të pranishëm përpiqen ta mbajnë.
Të gjithë pushuesit janë të shokuar, ndërsa tregojnë se ngjarja ndodhi shumë shpejtë dhe nuk kishte mundësi që i riu të shpëtonte. Ishin peshkatarët që arritën të nxirrnin trupin e pajetë të të riut pak minuta pas sulmit fatal, ndërsa më pas kapën edhe peshkaqenin.