image Falja e namazit të Kurban Bajramit mbetet në dorën e Bashkësisë Islame

Kosovë

Falja e namazit të Kurban Bajramit mbetet në dorën e Bashkësisë Islame

news image

Namazi i Kurban Bajramit megjithatë do të falet nesër, ashtu siç kishte vendosur Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).

Ndonëse me vendimin e fundit të Qeverisë për masat kundër përhapjes së koronavirusit ndalohet pjesëmarrja e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare, BIK-u i ka njoftuar besimtarët se namazi i Kurban Bajramit do të falet, shkruan Gazeta Sinjali.

“Ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën e 16-të të vendimit.

Ndërkaq në një konferencë për media, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se nuk do ta ndalojnë asnjë rit fetar, por se vendimi për ndalimin e ceremonive dhe veprimtarive fetare është vetëm rekomandim dhe vendim për ruajtjen e shëndetit.

“As nuk ndalojmë e as nuk lejojmë falje të çfarëdo riti fetar. Kemi sjellë rekomandime e vendime për të ruajtur shëndetin. I kemi ndaluar të gjitha aktivitetet publike, qoftë edhe ato private. Vetëm për ta ulur numrin e ta zhdukim pandeminë. BIK-u është përgjegjës”, ka thënë Zemaj.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Ramadan Shkodra, mbrëmë ka thënë për Gazetën Sinjali se namazi i Kurban Bajramit do të falet, por duke respektuar masat strikte, duke e vendosur e maskën, duke mbajtur distancën dhe duke mos pranuar më shumë se 50 persona brenda në xhami.

“Për momentin jemi ende për vendimin që e kemi pasur para masave të qeverisë. Namazi i sabahut do të falet në shtëpi, në xhamia mos me pasë brenda më shumë se 50 veta, me u mbajtë distanca, mos me qëndru gjatë, mos me u përshëndetë dhe me i marrë sexhadet me vete në xhami”, ka thënë Shkodra.

Ai ka shtuar se falja e namazit të Kurban Bajramit këtë të premte nuk është shpërfillje e masave të qeverisë, pasi që do të respektohen strikt rekomandimet e IKSHPK-së.

“Qeveria ka marrë më shumë vendim për ceremoni. Ne në gjykimet tona, mendojmë që nuk rrezikojmë shëndetin e popullit, do të respektohen masat strikt”, është shprehur ai.

Të hënën, BIK-u të kishte vendosur për faljen e Kurban Bajramit me disa kufizime. /Gazeta Sinjali