Sipas të dhënave të ofruara nga komunat janë afro 400 mësimdhënëse shtatzëna, të cilat do të lirohen nga prezenca fizike në shkolla, shkruan Gazeta Sinjali.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka arritur marrëveshje me Fakultetin e Edukimit, që studentët e këtij fakulteti të zëvendësojnë mësimdhënëset shtatzëna.
“Studentëve që do të angazhohen në këto pozita, kjo do t’ju njihet si praktikë profesionale dhe njëkohësisht puna e tyre do të realizohet në koordinim dhe mbështetje të plotë me mësimdhënësen (shtatzënë) që eventualisht do të lirohet nga prezenca fizike në shkollë. Mësimdhënëset janë të obliguara që përmes komunikimit në distancë, në vazhdimësi të jenë në kontakt me studenten apo studentin e caktuar duke i ofruar mbështetjen e nevojshme. Javën e ardhshme, MASHTI do të shqyrtojë mundësinë të kërkojë mbështetje të njëjtë edhe nga njësitë tjera akademike në mënyrë që ky proces të realizohet me sukses”, thuhet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar dhe universitar në Kosovë, që nga muaji shtator i vitit të kaluar, është duke vazhduar me pjesëmarrjen fizike të nxënësve në shkolla.