image Ministrja Nagavci mirëpret bashkëpunimin e studentëve të Edukimit për zëvendësimin e shtatzënave - Sinjali

Ministrja Nagavci mirëpret bashkëpunimin e studentëve të Edukimit për zëvendësimin e shtatzënave

news image

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, thotë se bashkëpunimi me Fakultetin e Edukimit do të mundësojë që procesi mësimor në shkolla të zhvillohet pa pengesa, shkruan Gazeta Sinjali.

Ky reagim i saj vjen pasi MASHTI ka arritur marrëveshje me Fakultetin e Edukimit, që studentët e këtij fakulteti të zëvendësojnë mësimdhënëset shtatzëna.

“Në zbatim të vendimit të Qeverisë që gratë shtatzëna të lirohen nga puna me prezencë fizike, studentë të nivelit master dhe apsolventë do të angazhohen në Arsimin Parauniversitar në mbështetje të rreth 400 mësimdhënëseve shtatzëna, numër ky i raportuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit”, shkroi ministrja Nagavci.

Ajo gjithashtu thotë se të dhënat me listat e studentëve tashmë janë përcjellur në DKA, bashkë me informatën për këtë mbështetje profesionale në mbulimin e lëndëve të ndryshme mësimore, aty ku paraqitet nevoja.

“Ky angazhim, studentëve do t’u njihet si praktikë profesionale dhe njëkohësisht puna e tyre do të realizohet në koordinim me mësimdhënëset përkatëse (shtatzënë) që eventualisht do të shfrytëzojnë të drejtën e lirimit nga prezenca fizike e tyre në shkollë. Mirënjohëse për gatishmërinë për kontribut nga ana e dekanit të FE, Blerim Saqipi dhe falënderuese paraprakisht për punën e studentëve dhe bashkëpunimin me mësimdhënëset dhe shkollat!”, shkroi ajo.

 /GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin