Pronarja e Kooperativës “Krusha”, Fahrije Hoti, është fituesja e sivjetme e çmimit “Evropiania e Vitit”.
Fituesja është shpallur mbrëmë nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, gjatë pritjes së organizuar për Ditën e Evropës në Prishtinë.
“Jam i nderuar që po i jap çmimin ‘Evropiania e Vitit 2022’ Fahrije Hotit dhe dua të falënderoj Behare Bajraktarin, Jovana Radosavljeviqin, Samir Karahodën dhe Sebahate Hajdinin për kontributin e tyre të përditshëm në përmirësimin e shoqërisë kosovare”.
“Duke u kujdesur për shoqërinë e tyre dhe duke bërë atë që është e rëndësishme për pjesëtarët e saj, ata po e mbështesin drejtpërdrejt Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe si të tillë ata janë të gjithë modele që duhen ndjekur. Uroj që më shumë njerëz në Kosovë të ndjekin gjurmët e fituesve dhe të nominuarve tanë aktualë dhe të mëparshëm të çmimit “Evropiani i Vitit” dhe shpresoj që çmimi për Fahrije Hotin do të ndihmojë në këtë drejtim”, u shpreh ambasadori Szunyog.
Ky është viti i shtatë me radhë që BE-ja i ndan këtë çmim në Kosovë një personi që gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane.
Të nominuarit për këtë çmim në vitin 2022 ishin:
- Behare Bajraktari, themeluese e “BB Green Kosova”,
- Fahrije Hoti, themeluese e “Kooperativa Bujqësore Krusha”,
- Jovana Radosavljević, themeluese e “New Social Initiative”,
- Samir Karahoda, prodhues filmash dhe programues i filmave të shkurtër në “DokuFest”, dhe
- Sebahate Hajdini, drejtoreshë ekzekutive e “Down Syndrome Kosova”.
Të nominuarit i ka propozuar Zyra e BE-së në Kosovë, derisa fituesi është zgjedhur përmes votave në mediat sociale.
Profili i nominimit online të Fahrije Hotit thekson:
Fahrije Hoti është shembulli më i mirë se si një përvojë e dhimbshme të shndërrohet në kurajë dhe qëndrueshmëri. Pas luftës, e cila asaj i mori burrin së bashku me 243 burra dhe djem nga fshati i saj, ajo dhe të gjitha gratë e tjera të Krushës u përballën me probleme të jashtëzakonshme se si të rrisnin fëmijët pa asnjë të ardhur. Sot Fahrija është pronare krenare e “Kooperativës Krusha”, një kompani që punëson 50 gra, e cila merret me prodhimin shumë llojeve të turshive dhe ajvarit. Historia e saj frymëzuese e bëri atë personazhin kryesor të filmit “Zgjoi”, të nominuar për çmimin “Oscar”.