Rrjeti social Facebook, ka mbyllur dy rrjete llogarish, faqesh dhe grupesh që “merreshin me ndërhyrje të huaj ose qeveritare”. Njëra llogari ishte me origjinë nga Rusia dhe tjera nga Irani, ku që të dyja dyshoheshin për lidhje me shërbimet e intelegjencës.
Kreu i politikave të sigurisë në Facebook, Nathaniel Gleicher, ka thënë se dy operacionet vepronin në emër të “një qeverie ose një aktori të huaj”, transmeton Gazeta Sinjali.
Rrjeti rus kishte në shënjestër kryesisht Ukrainën dhe vendet fqinje, ndërsa operacioni iranian ishte përqendruar kryesisht te Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Njerëzit që qëndronin prapa këtyre grupeve dhe llogarive janë koordinuar me njëri-tjetrin dhe kanë përdorur llogari të rreme për ta fshehur identitetin e tyre dhe kjo ishte baza e veprimit tonë”, citohet të ketë thënë Facebook.
Raportohet se janë mbyllur 78 llogari, 11 faqe, 29 grupe dhe katër llogari në rrjetin social Instagram, që kishin origjinën nga Rusia.
Hetimi ka gjetur se personat që gjendeshin pas rrjetit rus, hiqeshin si gazetarë dhe përpiqeshin të kontaktonin me politikanë, gazetarë dhe figura të tjera publike në rajon.
Bëhet e ditur se ata kanë postuar përmbajtje në rusisht, anglisht dhe në gjuhën ukrainase në lidhjet me ngjarjet lokale dhe politike./Gazeta Sinjali/