Vendimi i rregullatorit gjerman të energjisë për ta pezulluar përkohësisht procesin e miratimit të gazsjellësit rus, “Nord Stream 2”, ishte shkak i rritjes së çmimit të gazit të mërkurën në Evropë. Për shkak të këtij vendimi, janë shtuar shqetësimet nëse Evropa do të ketë gaz të mjaftueshëm këtë dimër.
Çmimi i gazit për muajin e ardhshëm në Holandë, vend që cilësohet si pikë referimi për Evropën, u rrit për afro tetë për qind të mërkurën dhe shkoi në 101.3 euro për megavat-orë, që është çmimi më i lartë që nga 18 tetori, raporton Reuters, transmeton Sinjali.
“Kohëzgjatja e fillimit të gazsjellësit të ri tani duket më e gjatë sesa është pritur fillimisht”, thanë analistët në ‘Goldman Sachs’, duke shtuar se ata tani presin që projekti të fillojë së funksionuari vetëm në shkurt të vitit të ardhshëm.
Qeveritë evropiane po përpiqen që ta lehtësojnë barrën për konsumatorët dhe bizneset duke marrë masa urgjente si përcaktimi i kufirit të çmimit dhe ofrimi i subvencioneve. Njëri nga tregtuesit më të mëdhenj në botë të energjisë, “Trafigura”, të martën paralajmëroi se Evropa mund të përballet me ndërprerje rryme këtë vit për shkak të furnizimit të ulët.
Çmimet më të larta të energjisë në Evropë dhe përreth botës tashmë po e rrisin inflacionin, që më pas mund t’i nxisë politikëbërësit që ta rrisin shkallën e interesit më shpejt sesa është pritur.
Të dhënat e publikuara të mërkurën treguan se shkalla e inflacionit në Bashkimin Evropian dhe në Britaninë e Madhe është rritur për më shumë se katër për qind në tetor, më shumë se dyfishi i synimit të Bankës Qendrore. Për shembull, çmimi që klientët britanikë kanë paguar për gazë është rritur për 28 për qind./Gazeta Sinjali/