image EULEX zotohet për gjetjen e 1,639 personave që humbën në luftën e fundit në Kosovë

Sociale

EULEX zotohet për gjetjen e 1,639 personave që humbën në luftën e fundit në Kosovë

news image

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) ka përkujtuar 27 Prillin “Ditën e Personave të Pagjetur” në luftën e fundit në Kosovë.

Përmes një njoftimi për media, EULEX  është zotuar që të vazhdojë punën për të gjetur vendndodhjen e 1639 personave të pagjetur, si dhe t’ua japë përgjigjet e nevojshme familjarëve dhe të dashurve të tyre, përkundër të gjitha sfidave.

Sipas tyre, një nga sfidat kryesore të hasura nga ekspertët e forenzikës në procesin e përcaktimit të fatit të personave të pagjetur të Kosovës është fakti që një numër i konsiderueshëm i tyre janë varrosur në varreza.

Në këtë njoftim citohet arkeologu forenzik i EULEX-it, Javir Santana, i cili ka thënë se problemi kryesor në identifikimin e vendndodhjes së të pagjeturve është mënyra e veprimit për fshehjen e varreve.

“Në kohën kur filloi konflikti në Kosovë, tashmë ishte e njohur se varret masive ishin të dukshme nga ajri. Pra, autorët i fshehën trupat në varre më të vogla, klandestine, madje edhe në varreza të rëndomta për ta bërë më të vështirë kërkimin e personave të pagjetur dhe për t’i fshehur provat e krimeve”, citohet të ketë thënë Santana.

Ai e ilustroi këtë sfidë duke dhënë një shembull:

“Nëse dua ta fsheh një libër dhe të sigurohem që do të jetë shumë e vështirë për ta gjetur nga kushdo, gjithçka që duhet të bëj është të hyj në një bibliotekë, ta vendos librin në cilindo raft dhe pastaj të largohem. Për ta gjetur këtë libër të caktuar, duhet të kërkoni raft për raft, duke kontrolluar kudo, gjë që do të marrë shumë kohë. Kaq e vështirë është ndonjëherë ta gjesh një person të pagjetur të varrosur në një varrezë”.

Sipas Tarja Formisto, zëvendësdrejtore e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe eksperte e EULEX-it, afërsisht gjysma e personave të pagjetur të Kosovës janë gjetur në varreza.

Një shembull i mirë i një qasje sistematike për kërkimin e të pagjeturve janë varrezat muslimane në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Zhvarrimet e para ishin bërë qysh në vitin 1999. Deri në fund të vitit 2002, janë kryer 10 zhvarrime dhe janë gjetur 48 trupa”, tha koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.

Ai shtoi se mbledhja e informatave dhe analizat në lidhje me këtë varrezë kanë vazhduar përgjatë viteve të kaluara dhe janë duke vazhduar ende.

“Gjatë 18 viteve të kaluara, janë bërë 24 zhvarrime të varreve individuale klandestine. Numri i trupave të zhvarrosur nga kjo varrezë qëndron në 89”, tha Nikollov.

Formisto theksoi se kjo nuk është sfida e vetme për gjetjen e personave të pagjetur.

“Një sfidë e madhe është gjithashtu mungesa e informacionit të ri dhe të besueshëm për vendndodhjen e varreve. Një çështje tjetër e rëndësishme është se jo të gjitha familjet e personave të pagjetur i kanë dhënë mostrat e gjakut për analizën e ADN-së. Për të qenë në gjendje t’i identifikojmë me sukses personat e pagjetur, na duhen mostrat e gjakut.”

Ekziston edhe çështja e identifikimeve të gabuara. Pas konfliktit, trupat u identifikuan në një mënyrë të shkurtë, për shembull përmes fotografive ose rrobave, duke rezultuar në gabime të cilat është e vështirë të gjurmohen dhe korrigjohen sot”, tha Formisto.

Sidoqoftë, ajo tha se as kjo sfidë nuk i dekurajon në misionin e tyre.

Pas më shumë se njëzet vjetësh, nënat, baballarët, bijat, djemtë, partnerët dhe të afërmit e tjerë janë akoma duke pritur ta mësojnë të vërtetën. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me kolegët tanë vendas për ta zbuluar fatin e personave të pagjetur duke ofruar ekspertizë dhe këshilla“, përfundoi ajo.

Ndryshe, sonte EULEX-i do t’i fikë dritat në selinë e tij në orën 20:00 në mbështetje të iniciativës “Në errësirën e personave të pagjetur”, organizuar nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, Qendra Burimore për Personat e Pagjetur, Integra, Fondi për të Drejtën Humanitare, Forumi ZFD – Programi për Kosovë, Nisma e Re Sociale dhe Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës./Gazeta Sinjali/